Duam s’duam, lodhemi, e fikim televizorin, e hapim sërish… politika është aty, bashkë me protagonistët e saj që vijojnë të flasin. Mund të jemi indiferentë madje ndaj të gjitha platformave që na parashtrohen, por kur flitet për jetën private të njërit apo tjetrit, nuk i mbyllim veshët asnjëherë. Vëmendja befas përqendrohet. Erla Mëhilli, edhe pse nuk ka statusin e një politikaneje, dashur padashur identifikohet përmes kësaj, duke qenë se prej kohësh tashmë është zëdhënësja e Kryeministrit të vendit, Sali Berishës. E pamë të shfaqej së pari, kur sapo ishte kthyer nga studimet në Itali, si punonjëse administrate, mandej si zëdhënëse e ministrit të dikurshëm të Transporteve, sot kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashës. Qëlloi që Erla të mos ishte një nga vajzat që përfundon punën e saj me mbarimin e mandatit të shefit që kishte në krye, sepse shumë shpejt do të vinte lëvizja tjetër. Nëse deri më parë i duhej të ishte zëri i Ministrisë që përfaqësonte, sot është zëri i kreut të qeverisë. Domosdo që, përveç se ajo vetë duhet të jetë më e vëmendshme, edhe vëmendja e të tjerëve ndaj saj shtohet. Sidomos kur, siç thamë, flitet për anën e panjohur, jetën private. E meqenëse, në rastin e saj, qëlloi që edhe gjysma tjetër të jetë gjithaq e njohur, kurioziteti shtohet edhe më.
Erla Mëhilli nuk është kapur nga paparacët në ndonjë fundjavë pushimi. Lidhjen e saj me prefektin e Tiranës, Keltis Krujën, e ka deklaruar vetë në një intervistë të dhënë për revistën “Jeta”.
Ajo vetë pohon se objektivi i paparacëve as ka qenë në vëmendjen e tyre, por nuk ka ndodhur as e anasjella. Kështu që ka vendosur t’i zbulojë vetë disa detaje të jetës së saj private, edhe pse tashmë rrethi i saj i të njohurve, por edhe më gjerë, pëshpëritnin për historinë e tyre të dashurisë. “Është e zorshme t’u shpëtosh thashethemeve dhe spekulimeve, dhe as nuk mund t’u shpëtojmë, por ky është një kompromis që njeriu e bën me veten kur ka angazhime publike. Privatësia është shumë e çmuar, po në kushtet kur ke angazhime publike, si në rastin tim dhe të Keltit, po aq me rëndësi është edhe të qenit i përkorë”. – pohon zëdhënësja e Kryeministrit kur e pyesin se si u ka shpëtuar deri tani fokusit të kamerave. Edhe krejt në heshtje historia e saj nuk ka qenë, sepse vetë kreu i shtetit, në një pritje për gazetarët, ka shkëmbyer batuta me Mëhillin rreth temës e megjithatë, u desh ta pohonte vetë që lidhja të bëhej publike.
“Hapi tjetër i rëndësishëm, ai më i afërti, është të mësoj të gatuaj. Të gatuaj seriozisht, flas. Sigurisht kam plane, ose më saktë, kemi plane, dhe marrëdhënia jonë ndikon në hapat që ndërmarrim. Ky vit që hyri ka qenë vit i rëndësishëm për ne dhe besoj se do të vazhdojë kështu. Për më tepër, është herët për ta bërë publike. Të gjitha hapat e hedhur deri tani kanë ardhur natyrshëm. Në fund të vitit, kur të bëjmë festën me Kryeministrin, ‘do t’i raportoj’ për përmbushjen e udhëzimeve”. Sado që është pak vonë për të thënë “është herët për ta bërë publike”, këto janë planet e Erla Mëhillit dhe Keltis Krujës.
Ne tentuam të kontaktonim me secilin prej tyre për t’i dëgjuar prej tyre planet e së ardhmes, dhe pse jo disa detaje më shumë të njohjes, por asnjëri prej të dyve nuk u përgjigj. Duam të mendojmë kështu sepse fundjava kishte hyrë, e jo që deklarimet e Erlës në radhët e intervistës së dhënë (duke mos i dhënë edhe shumë vëmendje) ishin të përshpejtuara.
Ky variant mund të jetë edhe krejt i pavend, duke qenë se Erla ka guxuar të flasë edhe për ëndrrat e saj me vello të bardhë. “Nuk i kam shpëtuar magjisë së vellos dhe bardhësisë së fustani. Është një magji që kur e mbështjell një femër e bën të ndihet princeshë. Më pëlqen një dasmë e bukur, nuk ka rëndësi nëse do të jetë e madhe apo intime. Gjithsesi, do të doja sa më shumë shoqëri”.
Kur kjo ditë të vijë, ndoshta do të mësojmë edhe ne më shumë rreth lidhjes së tyre, deri tani, po mjaftohemi me pushimet e bukura që ajo vetë pohon se kanë kaluar e planifikojnë të kalojnë, sado që, me punën që bën, nuk s’e ka luksin për të bërë plane pushimesh a fundjavash, duke e fikur telefonin. (Dhe në fakt, e kishte të hapur, pavarësisht që në fundjavë, me të drejtë, mund të bëhet më selektive).
E për sa kohë ka dëshirën dhe pasionin për të qenë pjesë e politikës, në të ardhmen edhe më e përfshirë se kaq, pushimet do të mbeten gjithnjë në plan të dytë.
Gazeta panorama