Seldi, tashmë ti ke hyrë në garën e “Dancing with the stars” pa lënë mënjanë karrierën tënde muzikore. Si po i menaxhon koncertet?
Është një impenjim i madh dhe në një koncept mund ta kemi të justifikuar ngarkesën e madhe, pasi koha në dispozicion është e shkurtër për të bërë dhe provat dhe për të vazhduar paralelisht me koncertet. Por producentja e DWS na ka dhënë mundësinë që të mund të mos shkëputem nga koncertet ku jam i ftuar, sidomos në fundjavë.
Është folur për një rikthim në bashkëpunimin tënd me Sinan Hoxhën. Si është e vërteta?
Po, bëhet fjalë për plane të reja bashkëpunimi në muzikë me Sinan Hoxhën, të cilat do t’i bëjmë publike shumë shpejt. Tashmë siç e thashë më sipër, jam i angazhuar me projektin “Dancing with the stars”, por shumë shpejt prezantimi im në muzikë do të ketë të reja në lidhje me Sinanin.
Për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë, është një duet, këngë apo rikthim së bashku në koncerte?
Në fakt, unë mund të flas me detaje për projektet dhe planet tona të përbashkëta në muzikë. Nuk mund të flas në media për këto të reja, pasi i takon Sinanit të flasë, për arsye se është më i madh se unë, dhe po ashtu ka një karrierë muzikore shumë më të hershme se unë. Ai ende nuk ka vendosur të flasë për këtë bashkëpunim të ri, që natyrisht do të ketë surpriza.
Si ta kuptojmë këtë, mos ndoshta Sinani është ai që e ka bërë ofertën për ribashkim, dhe ai vendos për gjithçka?
Në fakt kjo nuk ka lidhje, pasi në këtë rast nuk ka rëndësi fare kush e bëri ftesën, Sinani apo unë. Fakti që i takon atij të flasë është se ai do të japë detaje konkrete se kur ndodh bashkëpunimi dhe kur bëhet.
U fol për një ftohje mes jush, dhe arsyeja pse ndodhi kjo krisje në bashkëpunimet tuaja mbeti disi e paqartë. Pse ndodhi?
Natyrisht që në komentet që u bënë për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi pati edhe ekzagjerime, në kuptimin që s’është se kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe mes nesh.
Pati ndonjë zënkë mes jush apo prishje pazaresh për paratë e koncerteve?
Ajo që mund të saktësoj, është se ne nuk jemi ndarë për koncerte. Ne jemi në dispozicionin të publikut dhe ajo që kemi kuptuar nga këto dy vite bashkëpunime, është fakti se publiku na kërkon të shfaqemi në skenë, herë bashkë dhe herë vetëm. Kjo ishte një periudhë testimi dhe rezultoi që edhe vetëm ne mund të shfaqemi në koncerte.
Ndërkohë që pas kësaj ftohjeje, ju kemi parë që të jepni koncerte të ndarë. Ka rënë çmimi i koncerteve për secilin prej jush në krahasim me periudhën kur jepnit koncerte së bashku?
Jo, në çmimin e koncerteve mendoj se asgjë nuk ka ndryshuar. Secili nga ne ka publikun e tij, dhe secili ka çmimin e tij për çdo koncert. Ne i kemi buxhetet të ndara, dhe nuk i ngatërrojmë paratë tona.
Panorama Plus