Pas gati një viti që ke publikuar klipin “Bounce with the star”, po përgatitesh për një dalje të re. Si do të jetë ky klip, do të këndosh sërish nga hapësira?
Në radhë të parë falënderoj fansat e mi që pëlqyen dhe mbështetën klipin “Bounce with the star”, duke më dhënë mundësinë të shkoj në hapësirë e të prek yllin më të afërt. Për sa i përket këngës së re me titull “Sot jam vonë”, që ka dalë si audio në kanalin tonë të youtube që nga 19 prilli, është një këngë që mendoj se do të pëlqehet shumë për vetë tematikën e saj. Kjo këngë është “single” i parë i albumit tim më të ri dhe do të shoqërohet me një spot shumë të veçantë.
Çfarë do të ketë suprizuese, kujt i dedikohet teksti dhe si është konceptuar fabula?
Surpriza do të ketë pa fund dhe ju e dini që nuk mundem ta prish kënaqësinë e surprizës. Në këtë projekt trajtoj realitetin ku jetojmë. Mundohem të jap një mesazh shprese për të gjithë familjarët, shokët, kolegët, fansat e bashkëkombësit në gjithë globin, duke trajtuar eksperiencat e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi, për të dhënë mesazhin që me punë këmbëngulëse dhe me ndershmëri maksimale çdo gjë arrihet, dhe se jeta është shumë më e bukur. Me pak fjalë, të jesh ai që je dhe të japësh maksimumin për të krijuar një botë më të mirë, në çfarëdo lloj fushe ku kontribuon. Duken si shumë fjalë, por jam i bindur që do t’ju pëlqejë ky klip që do jetë shumë i veçantë dhe energjik.
Flitet për një rikthim ndryshe me albumin e ri të titulluar “Radio & Club (R&C)”. Për çfarë flitet në vargjet e këngëve të këtij albumi dhe pse ky titull?
“R & C” ( Radio & Club) është albumi im i dytë dhe do të dalë në treg në muajin qershor. Albumi do të ketë 20 këngë, nga të cilat shumica bashkëpunime me artistë shqiptarë, si edhe të huaj. Tematikat e këngëve, si edhe kompozimet e përdorura janë të ndryshme dhe të veçanta nga njëra-tjetra, por albumi në tërësi është shumë kuptimplotë dhe pozitiv, ka shumë energji pozitive dhe ritëm. Vetë titulli e dëshmon…
Do të shfaqesh sërish si reperi xhentelmen, apo nuk do të mungojnë fjalët e rrugës?
Këtë herë vij me më shumë muzikë, me shumë ritëm, eksperiencë, me shumë miq, me shumë histori. Pra Bigu është gati të përfaqësojë realitetin që ekziston me të vërtetë, jo atë fals. Imazhi im nuk ndryshon, pasi që në start kam vendosur të jem vetvetja dhe, nëse për disa jam xhentelmam ashtu jam, po nëse për disa jam i rrugës ashtu jam prapë. Ky album është për të gjithë dhe çdo emocion që shfaqet nga bashkimi i krijimit origjinal me zëra të veçantë dhe tematika pikante, e sigurt që është e pastër dhe e bukur.
Ke ftuar këngëtarë të njohur për bashkëpunim, cilët janë ata dhe pse i zgjodhe për të kënduar me ty në albumin tënd?
Jam shumë i kënaqur nga bashkëpunimet që kemi realizuar në albumin R & C, përveç faktit qe secili nga artistët e ftuar në album janë miq, janë dhe artistë shumë të talentuar dhe transmetojnë energji pozitive në krijimtarinë e tyre. Mund të përmend këngëtaren e njohur Jonida Maliqi, Dj Blunt & Real 1, Brisi i grupit “Supernova”, Mr. Dj Weed, Bicrav Pruduction France, Vesa Luma, Mc Kresha, Shpat Deda, Eni Koci, Lyrical Son, Angelo, TDS etj.
Zakonisht artistët janë produktivë kur janë në një lidhje dashurie. Ti po e përjeton një histori të tillë?
E falënderoj Zotin, që më ofron një jetë plot energji dhe dashuri ku frymëzimi nuk mungon në asnjë moment.
Panorama-Plus