Guljem Kotorri: Si i realizova skenat erotike në filmin “Agon”


Filmi me metrazh të gjatë ka regjisor dhe skenarist Robert Budinën dhe konkurron në Çikago.
Një histori mërgimtarësh shqiptarë, ku ngjarjet zhvillohen në Selanik. Vëllai më i vogël dëshiron t’i tregojë tjetrit se mund të ecë vetë përpara, por përfundon në një rrugë të pandershme shqiptarësh dhe vihet edhe më shumë në rrezik, ndërsa bie në dashuri me partneren e kapobandës. Skenat erotike që shihen në filmin “Agon” janë realizuar nga 22-vjeçari Guljem Kotorri, i cili ka bërë përshtypje për realizimin me shumë finesë të rolit në filmin me skenar dhe regji të Robert Budinës, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Çikagos, në seksionin zyrtar të regjisorëve të rinj. Pak ditë para festivalit, Guljemi si aktor protagonist rrëfen për përjetimet në këtë rol, ndërsa luan historinë e dashurisë pasionante dhe të rrezikshme me aktoren 10 vite më të madhe se ai, Eglantina Cenomeri.
Guljem, portreti yt ka tërhequr vëmendjen në posterat e filmit “Agon”, kush je ti në këtë film?
Roli im është roli i një djali që e ndesh shpesh në Shqipëri, madje mund të them që është kthyer në një stereotip. Është pikërisht ai djali që kërkon t’ia dalë vetë, të bëjë me kokën e tij dhe të arrijë shumë lart, në sajë të guximit të tepruar apo euforisë së një adoleshenti sapo hyn në moshën e maturisë.
Sa vjeç je ti në rol, dhe cila është mosha reale?
Unë luaj djalin 20-vjeçar, me të gjitha karakteristikat e kësaj moshe për të bërë aventura, dhe deri dikur i mbushur me trishtim nga jeta. Tashmë jam 22 vjeç.
Kjo ishte hera jote e parë në një film, apo ke pasur eksperienca të mëparshme?
Jo, kjo nuk ishte hera e parë. Unë kam qenë protagonist në dy filma të vëllait tim më të madh regjisor, Ervin Kotorri, filma me metrazh të shkurtër që kanë konkurruar në disa festivale jashtë vendit. Filmi i fundit ku unë kam interpretuar, ka qenë  ai me titull “Out of touch” i regjisorit Andi Deliana, i cili më lidhi me regjisorin Budina. Bëra kinoprovë si shumë kandidatë të tjerë, dhe kinoprovë pas kinoprove, më në fund u zgjodha unë për këtë rol kryesor.
Brenda kësaj aventure, ti ishte aktori që përjetove dhe një histori dashurie. Rol i bukur dhe i kompletuar për një djalë 20-vjeçar, apo jo?
Po e vërtetë që është një rol i bukur në vetvete, që unë pata fatin ta luaj.
Çfarë ishte ajo ndjenjë me protagonisten në film, pasion apo dashuri e vërtetë?
Në fakt, për ta përshkruar më saktë mund të them se ishte pasioni i një adoleshenti që kur bie në dashuri, nuk pyet më për asgjë tjetër. Shuan gjithçka tjetër për të mbajtur fort femrën që afeksioniohet, që në këtë rast bëhej fjalë për një femër më të madhe në moshë.
Ka shumë skena erotike në film, ishte problem për ty realizimi i këtij momenti të nxhehtë të filmit?
Fakti që ne si staf xhirimi shkuam dhe jetuam për më shumë se tre muaj në Selanik, ku bashkëjetuam madje dhe punuam, na shërbeu pikërisht për këtë familjarizim mes njëri-tjetrit. Dhe kjo na bëri që si unë dhe Eglantina t’i realizonim këto skena erotike pa problem, ose më mirë të them shumë spontanisht. Më vjen mirë që këto skena janë realizuar ashtu si duhej, dhe po ashtu transmetohet ndjenjë, vërtetësi dhe shumë pasion.
Në cilën degë ndjek studimet e larta dhe cilat janë ambiciet e tua për kinemanë?
Unë momentalisht jam 22 vjeç dhe ndjek studimet për Marrëdhënie me Publikun në Universitetin Europian të Tiranës. Natyrisht që te kinemaja unë gjeta një pasion të madh dhe që më pëlqen ta vazhdoj.
Ky film do të të hapë shumë dyer, pret ndonjë çmim nga Festivali i Çikagos”?
Një çmim për mua do të ishte shumë (qesh). Por gjithsesi e pres, dhe mbi të gjitha jam i lumtur që munda të shkoj deri atje dhe ndaj pres me kuriozitet gjithçka që do të ndodhë.