Mesa duket nuk kanë ç’të fshehin më. Reperi nga Tirana, Gerald Xhari, i njohur si “Big Basta” dhe këngëtarja kosovare Vesa Luma janë shfaqur më shumë se një çift i dashuruar në natën festive të promovimit të albumit të tij të dytë me titull “Radio & Club (R&C)” të shtunën e kaluar në “Muza Park”. Albumi i ri, një prodhim i “Big City’studio”, u promovua në festën ku ishin të pranishëm miq të shumtë artistë të Big-ut. Po atë natë, Vesa është prezantuar si e dashura në krah të tij, duke shfaqur në publik skena përkujdesjeje, njësoj siç do të bënte një grua me burrin e saj. Nga fotot, që janë realizuar atë natë, duket se Vesa ka madje autoritet ndaj Bigu-t, pasi është parë ta mbajë nën kontroll, duke mos e lënë për asnjë moment vetëm. Ndërsa Bigu nga ana e tij duket se është i dashuruar pas saj, duke lënë të kuptohet se për të, Vesa ka qenë burimi i frymëzimit për 20 këngët e albumit të ri. Lidhja e tyre u zbulua nga gazeta “Panorama” mbi një vit më parë, ndërsa ata
ishin të dy protagonistë të spektaklit “Dancing With the Stars”. Në një nga after-party-t e këtij show, ata u fotografuan tek kërcenin bashkë dhe shkëmbenin sjellje intime. Edhe pse nuk preferuan të flisnin për këtë histori
dashurie, ata deri diku e pohuan me sjelljen e tyre vetëm
disa ditë pas publikimit të lajmit, ndërsa u shfaqën çift në tapetin e kuq të finales së “Top Fest-it” të vitit të kaluar. Ndërkohë që gjatë këtij viti, edhe pse janë parë shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit, ata kanë preferuar ta mbajnë lidhjen larg shtypit rozë. Lidhja e tyre u përforcua më shumë pas shpërnguljes së Vesës në Tiranë, ndërsa ishte pjesë e jurisë së “X Factor”. Ky angazhim i saj në Tiranë erdhi pas publikimit të duetit të tyre në këtë fillimvit, me klipin me titull “Boom”. Pasi u shfaqën në ekran si çift në muzikë, ata u komentuan si çifti i vitit 2012, edhe pse nuk pranuan të dilnin hapur si të dashur. Ata e cilësuan si një bashkëpunim të miqësisë së krijuar në “Dancing with the stars”, duke sjellë secili stilin e tij. Për sa i përket albumit të ri, vetë Bigu ka pohuar se bazohet në historitë e tij personale. “Big City’s studio” publikoi fillimisht klipin “Sot jam vonë”, këngë e albumit. Pjesë e këtij albumi janë shumë emra këngëtarësh të tjerë, përveç Vesa Lumës, si: Jonida Maliqi, Dj Blunt & Real 1, Brisi i grupit “Supernova”, Mr. Dj Weed, Bicrav Pruduction France, Mc Kresha, Shpat Deda, Eni Koçi, Lyrical Son, Angelo, TDS. Ndërkohë që kjo natë promovimi është komentuar dhe si një natë e deklarimit të dashurisë së tyre. Vesa Luma dhe “Big Basta” janë të dy 26- vjeçarë, dhe ende nuk dihet se sa seriozisht do e vazhdojnë këtë histori, që deri tani është komentuar si lidhje romantike.