Eni Koçi: “Kur të lë muzikën, do t’i hyj politikës”

Sapo kanë publikuar klipin e tyre më të ri “Je gjithçka” dhe kanë pasur dhjetëra klikime në youtube. Eni Koçi tregon çelësin e suksesit të bashkëpunimeve me një rreper si Noizy por gjithaq tregon se do të heqë dorë nga muzika për tu marrë me politikë. Kur do të ndodhë kjo? Lexoni intervistën e saj.




Eni sapo keni publikuar klipin tënd të ri, një bashkëpunim me Noizyn. Përse një bashkëpunim të dytë me këtë rrepër?
Duke qenë se bashkëpunimi i parë rezultoi i suksesshëm, rastësisht u ndodhem në studio, Noizy-t i pëlqeu projekti që unë kisha, kështu që ai vendosi që këngën “Je gjithçka” ta realizonim si bashkëpunim
Noizy sapo ka publikuar një klip me Tunën, a nuk të duket se po dilni me një ide?
Nuk kanë aspak lidhje me njëra tjetrën, janë dy ide krejt të ndryshme.
Noizy është rreperi më i preferuar i këngëtareve. Veç jush, ka bashkëpunuar dy herë me Rozana Radin dhe njëherë me Tunën. Përse mendoni se këngëtaret tërhiqen prej tij?
Sepse është rreperi më i mirë shqiptar.
A beson se suksesi i një kënge varet nga bashkëpunëtorët?
Suksesi i një kënge varet nga kënga, nëse është e bukur ose jo. Sigurisht duhet të jenë edhe këngëtarë të mirë dhe të pëlqyer nga publiku për t’u bërë vërtet një hit.
Ju me cilët bashkëpunëtorë keni qenë më e kënaqur?
Me të gjithë. Sigurisht jam përpjekur të punoj me më të mirët, ndaj me të gjithë kam mbetur e kënaqur.
Edhe pak kohë më parë ju sollët një bashkëpunim të ngjashëm me një tjetër rreper, përse keni filluar të kanalizoheni pak a shumë në të njëjtin format këngësh?
Staz ishte një rreper shumë i mirë, me një vokal shumë të veçantë. Mua më pëlqejnë kombinimet e hip hop dhe RnB e për këtë arsye kam bashkëpunime të tilla.
-Gjithmonë pasi këngëtaret kanë një bashkëpunim të suksesshëm me një mashkull, gjithmonë mes tyre hamendësohet edhe një histori dashurie. Të ka rastisur të dëgjosh ndonjë koment për ndonjë lidhje të mundshme mes teje dhe Noizyt?
Me Noizy-n kam marrëdhënie shume të mirë, respektojmë njëri-tjetrin dhe merremi vesh shumë mirë. Kaq!
A ka miqësi të vërtetë mes këngëtareve?
Mund të ketë, por janë shume të rralla. Unë personalisht nuk kam ndonjë miqësi të ngushtë me ndonjë nga këngëtaret. Mik të vërtetë mund të quash dikë që e njeh prej kohesh dhe të është gjendur pranë në çdo rast. Unë e kam të kufizuar ketë rreth. Por, ka nga ato tipa që të lajkatojnë me fjalë të ëmbla dhe e bëjnë këtë gjë thjesht për interes.
Cilët janë këngëtarët me të cilët ke më shumë miqësi?
Mikesha këngëtare nuk kam. Kam miq si Big Basta, Capital T, Noizy. Me femrat kam thjesht njohje dhe miqësi të vogël.
Ju jeni dy motra të famshme. A ka ndikuar fama e motrës për të të lehtësuar rrugën në muzikë?
Sigurisht. Mund të thuash që unë gjeta çdo gjë gati, e pata rrugën të hapur dhe të shtruar falë Gretës.
Greta i ka shprehur qartë bindjet e saj politike, po ti je e pozicionuar politikisht?
Sigurisht edhe unë jam demokratë e flaktë.
Ke ndërmend të bëhesh pjesë e politikës?
Më pëlqen shume të bëhem pjese e politikes por në një moshë më të pjekur. Tani për tani do t’i përkushtohem muzikës. Kur të shfaqen talente të reja në muzikë, do ti hap rrugën dhe do vazhdoj të merrem me politiken. Të paktën ketë gjë dëshiroj por jetës nuk i dihet.
Në klipin e parë me Noizyn, në fabulën e klipit ju dashuroheni me një “kriminel”, të pëlqejnë në jetën e zakonshme “meshkujt e këqij”?
Mua përgjithësisht me pëlqejnë tipat çapkën dhe të qeshur.
Tani që je bërë e njohur të bezdis vëmendja e medias?U bënë tre vjet që nga dalja ime e parë në publik, ndaj jam mësuar me vëmendjen e median e cila nuk më ndahet. Shkruajnë çfarë t’u shkrepet.
Kur të kanë bezdisur më shumë gazetarët?
Kur shpifin lloj e lloj historish të pavërteta…Mediat nëse duan të shkruajnë për një këngëtar le të shkruajnë gjëra që janë të vërteta. Nuk lëndohen dhe bezdisen vetëm këngëtarët por edhe familjet dhe njerëzit tanë të afërt.
Nëse do të duhej të jetoje ndonjë ditë si e panjohur, çfarë do të bëje?
Do të dilja pafund nëpër Tiranë, pa makinë, do të haja shumë pa u kujdesur fare për trupin…
INA HOXHA BLUETOOTH