Tirana mirëpret Rona Nishliun


Rona Nishliu, bashkë me ekipin që ka përfaqësuar Shqipërinë në garën më të madhe të muzikës në Evropë, “Eurovision”, është kthyer në kryeqytetin shqiptar në orët e mbrëmjes të së hënës.

Këngëtarja kosovare e ka cilësuar si eksperiencë të jashtëzakonshme pjesëmarrjen e saj në edicionin e 57-të të “Eurosongut”.


“Ishte një përrallë shumë, shumë e bukur, dhe më vjen mirë që u realizua ashtu siç ndoshta deshëm ne. E ndiej se gjithë këtë prezantim shqiptarët e kanë përkrahur dhe e kanë mirëpritur”, ka thënë Nishliu.

“Kemi qenë të relaksuar gjithë kohës. Përveç ekipit që ka qenë mjaft i përkushtuar, dua të falënderoj të gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët e mbështetën këngën ‘Suus’ që në fillimet e saj, që kur u shpall fituese në festival”, ka shtuar më tej këngëtarja.
Kompozitori Shpëtim Saraçi, pjesë e ekipit shqiptar, ka thënë se është thellësisht i kënaqur nga ky sukses.

“Edicioni i 50-të i festivalit tonë vlerësohet me vendin e pestë, me një notë tepër pozitive të Evropës, dhe kjo falë një interpretimi të shkëlqyeshëm të Ronës, dhe një kompozimi po aq të shkëlqyeshëm të Florentit”, ka thënë Saraçi. /Telegrafi/