Skandali, këngëtarët tanë të përfshirë në histori droge, kriminaliteti e prostitucioni
Flasin Shota Baraliu, Gjyste Vulaj, Gold Ag dhe Stresi: “I kemi parë me sytë tanë”
Jemi vetë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të hidhura që po ndodhin kohëve të fundit me protagonistët e skenave muzikore. Gati çdo ditë dalin këngëtarë të rinj, ndërsa ata që tashmë kanë krijuar një bagazh të tyre, si duket (disa prej tyre) nuk po ecin në rrugën e duhur. Ndoshta popullariteti dhe ndjekja e trendeve
botërore bëjnë që edhe ata të marrin shembull këngëtarët e njohur në botë dhe duke u bërë pjesë e kategorive të njërëzve që nuk mund të merren si shembull për të mirë. Lajmet mbi konsumimin e alkoolit nga ana e këngëtarëve i kemi gati çdo ditë nëpër media. Por, në skenën muzikore a ekzistojnë gjëra më të rënda, të cilat nuk mund të shkruhen dhe të thuhen? A konsumohet masivisht droga, alkooli, a ka dhunë, kriminalitet e prostitucion? A ekzistojnë këngëtare që shiten për një set fotografik, për një këngë apo një klip? A ekzistojnë organizatorë të koncerteve që detyrojnë këngëtaret të prostituojnë? Për të hedhur pak dritë mbi këto argumente, ne realizuam një bisedë me disa këngëtarë të njohur të cilët kanë përvojë në skenën muzikore, por jo të gjithë ishin të gatshëm t’u përgjigjeshin pyetjeve tona, ndoshta nga frika ose nga ajo se çfarë duhet thënë, a se ndoshta i kishim prekur në kallo. Gjithsesi, disa më të guximshëm nuk e evitojnë, por preferojnë të thonë mendimin e tyre.
SHOTA BARALIU, ”SHUMË KOLEGË JANË FUTUR NË RRUGË TË GABUAR”
‘‘Të them të drejtën, besoj që ekzistojnë të gjitha nga pak në botën e artit në përgjithësi dhe këtë e them me plot kuptimin e fjalës, duke marrë parasysh që kam parë dhe me sytë e mi plot kolege e kolegë, të cilëve iu është dukur vetja shumë të famshëm apo ku ta di unë dhe janë futur në rrugët e gabuara, ku dhe sherret nuk mungojnë. Ne të gjithë ndonjëherë konsumojmë alkool kur është ndonjë rast, po sigurisht që me masë dhe më pas mbajmë veten nën kontroll. Mua s’më ka ndodhur asnjëherë të bëhem tapë fare që të mos i mbaj mend veprimet e mia. Për sherre as që bëhet fjalë, se jam person që mundohem sa më shumë të sillem mirë me njerëzit dhe me fansat. Ndaloj në rrugë, flas lirshëm me ta, ndaj s’më ka ndodhur të kem ndonjë problem me dikë. Por kam qenë prezente në disa raste, kur kanë dashur t’i rrahin në mes të koncertit disa prej këngëtarëve dhe më ka ardhur çudi prej tyre, si mund t’i thonë vetes VIP dhe të shoqërohen me lloj-lloj njerëzish! Sa u përket organizatorëve, nuk ma merr mendja që i detyrojnë këngëtarët të futen në këto rrugë, por ata mund ta bëjnë me vetë dëshirën e tyre. E vetmja mënyrë që t’i ndalojmë këto dukuri, është që të jemi njerëz sa më normalë, të mos fluturojmë shumë me ambicie anormale, të jemi korrektë në punën që bëjmë dhe të mirat vijnë me radhë. S’kemi nevojë të kalojmë nga shkalla e parë në të fundit, sepse asnjë njeri nuk është bërë i famshëm apo me lekë brenda një nate. Për këtë duhet punë e madhe dhe energji. Po i zbatuam këto të dyja, sigurisht që gjërat e këqija nuk na vijnë nga pas”, shprehet e shqetësuar për këto dukuri këngëtarja kosovare, Shota Baraliu.
STRESI, ”KA SHUMË KËNGËTARE QË PËRDORIN LËNDË NARKOTIKE”
”Asnjë nga këto s’është gjë e mirë. Thjesht është një realitet që duhet të përballemi ditë për ditë në jetën sociale. Ka shumë këngëtare femra që përdorin lëndë narkotike ose ndryshe quhet kokainë, marihuana, ekstazi, heroinë. Kam parë me sy shumë dhe më vjen keq për ato. Gjithashtu ka shumë raste që ato shesin trupin e tyre për famë ose, më saktë, të arrijnë deri diku në tregun shqiptar. Kjo është e keqja e këtij realiteti, sepse ka shumë viktima që i shtyn kurioziteti të harrojnë realitetin e vërtetë”, thekson me shumë kurajë reperi i njohur, Arkimed Lushaj (Stresi).
GJYSTE VULAJ, ”SHQIPTARËT TË Kujdesen për FËMIJËT E TYRE”
”Skena shqiptare shyqyr është larg nga këto të këqija, por ka një numër të vogël që mund t’i numërojmë në gishta të dorës, të cilët konsumojnë drogë, por deri më tani nuk kanë kaluar dozat e përdorimit, jemi fukarenj për ta ekzagjeruar. Sa i përket alkoolit, e konsumon pothuajse çdo njeri i rritur (pak a shumë) dhe të paktë janë ata që s’dinë të kontrollohen. Prostitucion në muzikën shqiptare mendoj që nuk ka. Nuk jam në dijeni për këtë dhe s’kam dëgjuar kurrë për diçka të tillë. Sa u përket organizatorëve, ata janë njerëz që bëjnë organizime me seriozitet, kurrë nuk mund të kenë ata atë lloj imuniteti që të detyrojnë të bëjnë diçka të tillë, kjo është absurde. Muzika shqiptare ka kushtet e veta, të cilat organizatorët duhet t’i plotësojnë, përndryshe s’mund të lidhin asnjë lloj marrëveshjeje apo kontrate. Unë për një shfaqje kërkoj këto kushte: ”Shuma e të hollave për një shfaqje të bëhet me parapagesë që në ditën e marrëveshjes për datën dhe orarin e caktuar, hotelin me 4 yje e përpjetë, për mua dhe stafin tim, kujdestare etj. Mendoj dhe shpresoj falë mentalitetit tonë dhe rrethanave ku jetojmë, se edhe shumë breza të tjerë do ecin në rrugë të sigurt. Populli shqiptar nuk është edhe aq i ngarkuar apo i mbytur me punë, sa të mos kenë kohë të edukojnë fëmijët”, përfundon këngëtarja e njohur, Gjyste Vulaj.
GOLD AG, ”SHPRESOJ NJË DITË TË PENDOHEN”
”Për fat të keq ka dukuri të tilla në botën e muzikës mbarëshqiptare. Sa u përket lëndëve narkotike, ka raste të shumta, por shpresoj që një ditë të pendohen për atë që bëjnë, sepse më mirë vonë se kurrë. E sa u përket rasteve të këngëtarëve që arrijnë majën e suksesit pa talent por në mënyra të tjera, ata janë të përkohshëm dhe nuk do përmenden gjatë. E sa u përket organizatorëve, një gjë e tillë nuk është në listën time të trurit, por shpresoj që të moa ketë raste të tilla. Këto dukuri të këqija luftohen vetëm atëherë kur të gjithë vetëdijësohen dhe e kanë nën kontroll punën e tyre, me talent nga Zoti dhe pa asnjë lloj dehje, duhet të jesh ai/ajo që je”, thotë reperi Gold Ag. [Panoramaplus]