Këngëtarja Rona Nishliu, e cila me këngën e saj ‘Suus’ i solli Shqipërisë rezultatin më të mirë në Eurovision, është vlerësuar shumë nga kritikët muzikës.
Kënga përfaqësuese shqiptare ‘Suus’ në 'Eurovision Song Contest 2012' që u mbajt të shtunën në Baku të Azerbajxhanit ishte kënga më e komentuar e këtij edicioni.
Vlerësimet për vokalin dhe interpretimin e Ronës nga profesionistë të muzikës ishin të shumta. Kritika pozitive për Rona Nishliun kanë ardhur edhe nga Suedia, vendi që triumfoi çmimin e parë të festivalit dhe që kishte edhe 10 kompozime tjera në këtë event.
Telegrafi ka bërë një përmbledhje nga mediat evropiane rreth këngës ‘Suus’ dhe këngëtares Rona Nishliu.
“Këngëtarja Rona Nishliu e cila ka punuar si radio moderatore në Prishtinë është larguar nga vendi i lindjes së saj gjatë pastrimit etnik në luftën e Kosovës. Ndërsa kompozitorit të këngës ‘Suus’ i janë vrarë 17 anëtarë të familjes gjatë luftës. Mënyra e këndimit të Ronës të rrëqeth gjithë trupin. Edhe pse këngëtarja nga Kosova nuk ka të kryer shkollën e muzikës, ajo di të këndon nga zemra dhe shpirti i saj”, u komentua nga televizioni nacional i Finalandës YLE.
Transmetuesi publik i Spanjës, TVE, e cilësoi këngën ‘Suus’ si balada më e madhe e Eurovizionit 2012. Kënga shqiptare ‘Suus’ është më shumë së këngë pasi që ajo është kualitet i pashterur. Për vokalin e Ronës, TVE përmendi se ajo ka një shtrirje shumë të gjerë të zërit. U përmend edhe pamja origjinale e Ronës.
Gjatë gjysmëfinales së parë, televizioni rumun TVR përmendi rastin e aksidentit tragjik në Himarë. “Përpos vokalit të mirë që ka këngëtarja nga Kosova, Rona është e angazhuar edhe në organizata të ndryshme humanitare”, theksoi televizioni nacional i Rumanisë.
“Për ata që janë të hapur të dëgjojnë pjesë të ndryshme muzikore, le të dëgjojnë këngën përfaqësuese të Shqipërisë dhe me siguri se ato do të çmenden pas kësaj kënge që sjell këngëtarja e jazzit”, u tha në kanalin televiziv TROS të Holandës. Kanali holandez TROS ka përmendur edhe rastin e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë.
SVT, transmetuesi suedez e cilësoi interpretimin e Ronës si një shprehje unike e muzikës. Këngëtarja shqiptare këndon jashtëzakonisht mirë dhe fuqishëm, është thënë në fund nga profesionistët e muzikës në televizionin e Suedisë. Ky televizion do të jetë edhe organizatori i Eurovizionit 2013 që do të mbahet në Suedi.
“Jam shumë i impresionuar nga interpretimi i mrekullueshëm dhe vokali I fuqishëm i Ronës”, ka thënë komentatori norvegjez në televizionin shtetëror të Norvegjisë, NRK.
Kënga përfaqësuese shqiptare në Eurovizion u vlerësua shumë edhe nga kritikët e Ukrainës. Në kanalin e tyre televiziv u përmenden edhe aktivitetet e shumta humanitare të Ronës.
Kritika të mira për këngën shqiptare erdhën edhe nga transmetuesi publik i Danimarkës, DR. Këtu u përmend edhe prejardhja e Ronës si dhe gara e fortë e festivalit të këngës në RTSH ku Rona triumfoi çmimin e parë.
Në kanalin televiziv të Belgjikës, Eén, kënga ‘Suus’ u quajt si surpriza artistike e këtij viti. Kënga ‘Suus’ ishte kënga favorite e shumë ekspertëve të muzikës në Belgjikë. ‘Suus’ u quajt si një kryevepër por ndoshta pak e komplikuar për të fituar çmimin e parë edhe pse Rona e meritonte çmimin e madh këtë vit. Gazeta e përditshme belge ‘De Morgen’ shkruan se këngëtarja e muzikës jazz me zërin e saj të fuqishëm ka lëkundur kulmin e arenës. Ndërsa organizata zyrtare e Eurosongut në Belgjikë shkruan se Rona mund të kapë notat e larta muzikore për të cilat këngëtarja Céline Dion dhe Mariah Carey vetëm ëndërrojnë.
Në magazinën shumë të popullarizuar gjermane Spiegel kritikat negative ishin për veshjen dhe pamjen e Ronës, mirëpo ata kanë pranuar faktin se Rona Nishliu kishte zërin më të mirë në Eurovizionin 2012./Gafurr Sahiti/ /Telegrafi/