Erioni: Ja çfarë bëra me 4 femrat që më prisnin jashtë

“Klaudja ka krijuar lidhje të re, unë u ktheva tek e dashura në Greqi”

Ata përjetuan një “feeling” brenda shtëpisë së BB5, por pastaj diçka ndodhi mes tyre për ta stopuar afrimitetin që krijuan publikisht. Edhe pse Klaudja u tregua e vendosur, duke i pohuar “live” Erionit se nuk do e priste me daljen e tij nga shtëpia, fansat janë kureshtarë të dinë se çfarë
ka ndodhur këtë javë që Erioni la shtëpinë e “BB5”. Erioni dhe Klaudja pohojnë se mes tyre nuk do të ketë lidhje. Në këtë përballje të tyre në gazetën “Panorama”, Erioni rrëfen për rikthimin tek e ish-e dashura në Greqi, ndërsa Klaudja për lidhjen e saj me një djalë tjetër.
Është një nga banorët e “Big Brother 5” që mori fjalët më të mira dhe nga konkurrentët e tjerë. 24-vjeçari nga Tirana, edhe pse ishte shumë afër finales, nuk arriti ta prekë natën e çmimit të madh të këtij “reality show”. Gjithsesi, i përmendur për një histori telenovelesh mes tri vajzave, mes të cilave një të dashur prej tri vitesh në Greqi, një lidhje 10-ditore para se të hynte në lojë, dhe intimitetit të krijuar brenda shtëpisë së vëzhguar më konkurrenten e tij Klaudjan, e bëri të komentohej në faqet e gazetave rozë për disa javë me radhë. Tashmë që ka lënë pas emocionet e çmimit të madh prej 100 milionësh, ai tregon se pas daljes nga loja është rikthyer tek e dashura në Greqi, ndërsa me Klaudjan do të ruajë thjesht miqësi.
Siç e ke pohuar vetë në skedën prezantuese të BB5, ti hyre në këtë lojë për të provuar emocione të reja dhe për të krijuar njohje të reja, që do ta lidhnin edhe më shumë me Shqipërinë. Të vjen keq që nuk munde ta prekësh finalen?
Jo. Për hir të së vërtetës, unë ndihem shumë mirë. Nuk e përjetova aspak keq largimin një javë para finales, pasi mendoj se në kaq kohë të qëndrimit tim në BB5 unë e arrita synimin tim për të rezistuar gjatë në lojë.
Ka pasur komente nga ish-banorët e tjerë se kaloje shumë orë në gjumë, apo të tjerë që shfaqnin habi për qëndrimin tënd ende në shtëpinë e BB. Ke ndonjë përgjigje?
Po, e di që ka pasur nga ata si Dritani apo Gerta që janë shprehur se unë kaloja kohë në gjumë në atë shtëpi. Për këta të dy kam një përgjigje, që ata hynë shumë vonë në shtëpi dhe dolën po ashtu shumë më herët nga unë. Kështu që le ta bëjnë vetë llogarinë e suksesit të tyre në thonjëza si fillim, pastaj të më komentojnë mua, që më ndiqnin nga televizori para se të hynin në lojë, dhe vazhduan të më ndiqnin po nga ekrani pas daljes së tyre…
Ndalojmë tek jeta jote private. Publiku pa “live” një përballje tënden me Klaudjan, ku ti i kërkove të të priste pasi ti të mbyllje një bisedë me ish-të dashurën në Greqi. Çfarë ndodhi më tej? 
Në fakt, pas daljes nga shtëpia unë udhëtova drejt Greqisë, ku u takova me ish-të dashurën time atje, me të cilën isha ndarë 2 muaj para se të hyja në lojë. Biseduam dhe vendosëm të rikthehemi në lidhjen tonë. Jemi duke menduar nëse lidhja jonë në largësi mund të kthehet në një lidhje të afërt. Si fillim do udhëtoj unë më shpesh drejt Greqisë, dhe pastaj do mendojmë për një zhvendosje të përhershme të saj këtu në Tiranë.
Ndërkohë që lidhja me vajzën në Greqi ishte e vetmja histori serioze e përmendur nga ti në BB. Ç’mund të tregosh më shumë rreth asaj historie?
Më duhet të respektoj kërkesën e saj për të mos bërë asgjë publike në lidhje me emrin, moshën apo profesionin e saj. Ndërsa për sa i përket lidhjes me të, ne kemi 3 vite bashkë, ndërsa kishim gati pesë muaj të ndarë, duke përfshirë edhe kohën e qëndrimit tim në BB.
Si të priti ajo në takim, ishte mërzitur për afrimitetin tënd të krijuar më Klaudjan para kamerave?
Po, e vërteta është që ajo ishte mërzitur për afrimitetin tim me Klaudjan, por unë u përpoqa t’ia sqaroja me sinqeritet që ndjesia ime me Klaudjan ishte thjesht një simpati. E mira e asaj historie është se nuk ndodhi asgjë mes meje dhe Klaudias, dhe për më tepër nuk do ndodhë diçka tani jashtë shtëpisë.
Ndërkohë që pritej një takim mes jush tashmë që loja ka mbaruar. U takuat?
Unë i bëra para dy ditësh thjesht një telefonatë Klaudjas për ta përshëndetur. Ndërsa dje në mëngjes u takuam rastësisht në ambientet e “Top Channel”, ndërsa ishim të gjithë ish-banorët e BB5 në emisionin e mëngjezit “Wake up”.
Çfarë biseduat?
Nuk biseduam gjatë. U takuam si miq. Ajo më tregoi se ka një lidhje tashmë, dhe unë po ashtu i tregova që jam rikthyer përsëri tek e dashura ime në Greqi.
Mendon se komunikimi juaj do vazhdojë normalisht, apo ju tashmë s’do mund ta keni as një përshëndetje me njëri-tjetrin?
Patjetër që ne vazhdojmë të mbetemi miq dhe mund të takohemi të pimë kafe apo të shoqërohemi pa problem. E theksoj që mes ne të dyve s’do ketë asgjë më shumë.
Ndërkohë që gjatë qëndrimit tënd në shtëpi, në gazeta u përfol shumë emri i një vajze nga Tirana, me të cilën kishe lidhje para se të hyje në BB. Po me të je takuar? 
Po e vërtetë është që unë para hyrjes në BB kam pasur një lidhje 100ditore me Sonin, vajzën me profesion parukiere nga Tirana. Nuk kemi folur tashmë pas daljes sime. Unë Sonit ia kisha shpjeguar historinë time me të dashurën në Greqi, po ashtu dhe asaj i kisha treguar që kisha nisur një lidhje me një vajzë nga Tirana. Mendoj që gjërat kanë shkuar në vendin e vet dhe me Sonin s’kam ç’të bisedoj.
U fol shumë për miqësinë e Sonit me Klaudjan. Ti ishe në dijeni të shoqërisë mes tyre?
E vërteta është se sipas asaj që më ka thënë Klaudja, ato ishin mikesha prej 1 muaji. Por unë vetë nuk kam qenë në dijeni.
Ndërkohë që dhe një ish-banore e BB5, Lena Dërmaku, e ka shprehur publikisht debulesën për ty. Ajo pohoi po ashtu se kishte diçka për të të thënë. Jeni takuar?
Jo, nuk jemi takuar. Mendoj që Lena s’ka asgjë për të më thënë, pasi unë asaj nuk i kam dhënë as fjalën, as shpresën për një gjë të tillë. Gjithsesi, mbase sot në natën e spektaklit do takohemi dhe unë do e dëgjoj Lenën.