Arbri triumfon në Big Brother

Arbër Zeka është fitues i edicionit të pestë të “Big Brother Albania” që përfundoi të shtunën mbrëma.


25-vjeçari nga Prishtina ka arritur të fitojë zemrat e të gjithëve në shtëpinë më të madhe në Shqipëri, ashtu që në natën finale grumbulloi më shumë vota në raport me konkurrentët tjerë për të dalë fitues.


Në finalen e “Big Brother 5”, krahas Arbrit ishin kualifikuar edhe Genta, Françeska, Ermali dhe Liami, ndërsa ky i fundit ishte konkurrenti final i djalit nga Kosova, por numri më i madh i votave, ashtu edhe siç ishte pritur, i takoi 25-vjeçarit.

Arbri e bëri publikun për vete duke qenë shembull për të gjithë, me një stil tipik urban dhe sjellje të matura, reflektim të duhur mbi realitetin, si edhe në rrethanat dhe situatat intriguese.

Në natën finale të BB5, pas disa momenteve të këndshme, erdhi edhe radha e eliminimeve. Banori që kishte marrë më pak vota nga publiku dhe që e la i pari shtëpinë ishte Ermali. Menjëherë pas Ermalit, doli edhe e dashura e tij, Françeska, duke qenë banorja e dytë më pak e votuar nga pesë finalistët.

Nga tre banorët e mbetur – Genta, Arbër dhe Liam – publiku vendosi që Genta, të ishte banorja e radhës e eliminuar.

Pas televotimit të fundit dhe përballjes vendimtare mes Arbrit dhe Liamit, ishte Arbri ai qe mori edhe fitoren e merituar të kësaj loje që tërhoqi vëmendjen maksimale të publikut në këto tre muaj.

“Jemi te dy fitues!” – këto ishin fjalët e para të Arbrit pas fitores. /Telegrafi/