Zamira Kita: Si u dënova me 6 muaj punë krahu për filmin “Eja”

Jonida Hitoveizi

Zamira Kita është një nga aktoret më të veçanta të skenës sonë. Me një buzëqeshje që të bën për vete, ajo transmeton mbi të gjitha një shpirt të madh të një artisteje të madhe. Nuk është e tepruar nëse do ta quaj të tillë, pasi çdo rol i saj i ka dhënë madhështinë, atë të thjeshtën fare që çdo artist kërkon te publiku i tij. Të depërtosh thjesht dhe me shpirt në zemrat e atyre që të ndjekin, është suksesi që çdo artist kërkon. Zamira ia ka dalë të fitojë zemrat e të gjithëve, qysh në rolet e para, e ndoshta kjo karizëm e lindur e ka bërë atë një aktore që spikat nga të tjerët. Në këtë intervistë për “Mapomadame” ajo tregon shumë nga vetja, nostalgjitë, dashuritë, por edhe përditshmërinë e saj, marrëdhëniet me vajzën 9 vjeçe dhe përkushtimin e një gruaje ndaj familjes dhe karrierës.

Zamira, jeni një nga aktoret më të dashura të skenës sonë. Si ia keni dalë të fitoni zemrat e publikut?

Të fitosh zemrën e dikujt do të thotë ta duash vërtet atë, qoftë ky edhe publiku. Unë e kam dashur publikun. Kam punuar shumë për të qenë e këndshme me rolet e mia dhe besoj kam qenë afër publikut, me modesti dhe mirësjellje. Mendoj, kjo ka qenë arsyeja që ia kam fituar zemrën…

Pas kaq vitesh në skenë, çfarë i thoni vetes kur reflektoni në kohë?

Shumë gjëra mund t’i kisha bërë më mirë, por edhe shumë gjëra do t’i bëja po njëlloj… Nëse do ta filloja edhe njëherë jetën time, do zgjidhja të bëhesha sërish aktore. Nuk do largohesha kurrë nga Shqipëria, pse jo, dhe nga Korça.

Për çfarë keni më tepër nostalgji?

Nostalgji kam për vitet studentore…për shokët e kursit… për punët e bukura të asaj kohe, për çdo gjë që kemi bërë së bashku. Gjithashtu nostalgji kam për vitet e para të dashurisë sime me bashkëshortin, vitet kur vuaja dhe dashuroja shumë. Është fjala për vitet 1989-1990.

Si ka ndryshuar raporti me teatrin këto 20 vjet, jo vetëm i juaji, por edhe më gjerë?

Raporti me teatrin vazhdon të jetë shumë i dashur dhe i afërt për mua dhe besoj edhe për publikun. Ndoshta dikur është ndjekur më tepër dhe ka qenë i vetmi argëtim, por kjo nuk do të thotë që nuk ndiqet sot. Përkundrazi, sot ke mundësinë të zgjedhësh çfarë vepre të duash dhe të bashkëpunosh me artistë nga e gjithë Shqipëria.

Ju vazhdoni të jetoni në Korçë dhe të vazhdoni karrierën tuaj aty. Kaq e vështirë ka qenë ta braktisni qytetin tuaj, ndoshta për një vëmendje më të madhe që duket se ofron Tirana?

Është vërtet e vështirë ta braktis qytetin tim. E para, sepse aty kam familjen time, dashurinë time, punën time dhe të bashkëshortit. Pra, e kam të ndërtuar mirë dhe bukur jetën time. E dyta, nuk më ka munguar aspak vëmendja artistike e Tiranës, e kolegëve, mediave, punëve ,ofertave…

Zamira, dua të kthehemi pak mbrapa në kohë dhe të më thoni emocionet e rolit tuaj të parë…

Emocionet e rolit tim të parë kanë qenë shumë të bukura. Unë kam luajtur në Akademi te “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Frederik Garsia Lorka, rolin e Adelës dhe Amelisë, sepse punohej me dublante. Kam punuar vetë me shumë dëshirë, me shumë besim dhe kam mundur të realizoj rolin kryesor të Adelës. Nga regjisori im Gëzim Kame m’u thanë fjalët më të mira. Por nëse flasim për një rol të realizuar në një trupë profesioniste, do të kujtoja rolit tim të parë dhe më të dashur, atë të Tanjës te “Vajzat me valutë”, nga Vladimir Kunin, vënë në skenë nga Llazi Serbo. Ishte një rol shumë i bukur, i mbushur me shumë dramacitet dhe emocion. Ky rol në festivalin e teatrit në Vlorë, në vitin 1995, më bëri të evidentohesha dhe të diskutohesha gjatë.

Aktrimi ka qenë ajo që keni dashur apo keni pasur ndonjë dëshirë tjetër në fëmijëri?

Aktrimi ka qenë i vetmi pasion i imi. Qysh e vogël jam ngjitur në skenë bashkë me babin tim, i cili ka qenë një aktor amator shumë i talentuar dhe më ka mbështetur në dëshirat e mia artistike. Në moshën 12-vjeçare unë kam interpretuar monologun e Ollgës nga “Zonja nga qyteti” në skenën e estradës profesioniste. Gjithmonë kam dashur të bëhem aktore dhe kjo dëshirë më është plotësuar. Jam e përkëdhelur nga fati.

Në ato vite, kujt aktor keni dashur t’i ngjani? A kishit ndonjë idhull nga aktorët shqiptarë?

Kur kam qenë e vogël, nuk kam menduar kurrë t’i ngjasoj dikujt. Thjesht kam dashur të interpretoj. Atëherë unë kisha shumë për zemër këngëtaren Alida Hisku. Madje, i kam shkruar dhe kam vendosur lidhje me të qysh në moshën 11-vjeçare dhe jam takuar disa herë me të. Ndërsa idhuj kam pasur sigurisht, madje edhe shqiptarë. Nga aktorët e huaj do të veçoja aktorët Robert Redfort, Meril Strip etj… Nga aktorët shqiptarë veçoj Sulejman Pitarka, Tinka Kurti, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe nga aktorët e humorit Roland Trebicka dhe Aleko Prodani.

Ju ka ndodhur t’u “tërhiqet veshi”, në atë kohë për ndonjë rol apo lirshmëri më shumë?

Më është tërhequr veshi dikur, kur një kolegu im shumë i dashur Arben Dervishi më “spiunoi” që shkurtoja materialet gjatë interpretimit në shfaqjet e fshatit, të cilat i kishim të detyruara. Unë përtoja ta bëja materialin deri në fund dhe thosha disa fjalë në fillim dhe disa në fund. Ai i tha regjisorit, ai drejtorit dhe më paralajmëruan për pushim nga puna. E gjitha kjo kaloi me humor dhe me falje e përqafim nga Beni. Ky është një rast, se më i keqi më ka ndodhur kur kam qenë me punë në fshat, në Shtëpinë e Kulturës (se unë isha me biografi të keqe dhe u emërova 4 vjet në fshat). Atëherë s’më lejohej të bëja filma, por ashtu si pa kuptuar dhe pa ditur unë xhirova filmin “Eja”. Më pas fshati (s’ka rëndësi cili fshat) më dënoi me 6 muaj punë në bujqësi dhe unë i kam bërë deri në një. Kam mbledhur fasule, mollë… Kam kthyer plitharë të thahen, kam pastruar qepkat nga barërat e këqija etj.

Mbështetja më e madhe në fillim të karrierës, cila ka qenë?

Mbështetja më e madhe ka qenë ajo që më ka dhënë regjisori Piro Milkani në filmin “Eja”, film që siç e shpjegova pati shumë probleme për shkak të biografisë. Ai luftoi që unë ta bëja atë film, duke më hapur kështu rrugën e artit. Gjithashtu do të falenderoja ish-drejtorin e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, Petraq Zoto, i cili me shumë përpjekje më hapi dyert e teatrit dhe më tërhoqi nga fshati. Në atë kohë isha 25 vjeçe.

Zamira, e quani veten me fat, apo suksesi më tepër ka qenë falë punës?

E quaj veten me fat… Sigurisht kam punuar shumë dhe duhet të jem edhe e talentuar. Por, padyshim është fati më kryesori.

Të jesh një nënë dhe bashkëshorte e mirë, a ia del të jesh po kaq e mirë edhe në punën që bën?

Unë përpiqem të jem një nënë e mirë. I kushtoj shumë kohë vajzës, i gatuaj, e ndihmoj për të bërë detyrat e shkollës, luaj me të, e shëtis, pra gjithçka. Edhe për bashkëshortin kujdesem shumë që atij të mos i mungojë asgjë. I jap gjithë dashurinë time. Përpiqem të bëj të njëjtën gjë edhe me punën time, por këtë mund ta thoni ju më mirë. Ju që jeni publiku im e që më ndiqni në të gjitha shfaqjet e mia.

Si i ke koordinuar këto fusha të jetës?

Është shumë e thjeshtë t’ia dalësh mbanë në të gjitha, mjafton të duash dhe të kesh ndihmë, gjë që mua s’më mungon. Kam ndihmë bashkëshortin tim, që më mbështet. Gjithashtu edhe nënën e tij. Përpiqem ta organizoj mirë ditën time dhe ia dal.

Çfarë kritikash dhe sugjerimesh merr nga vajza jote?

Vajza ime është e vogël, 9 vjeçe, dhe nuk mund t’i kuptojë të gjitha. Megjithatë, ajo është bërë si një shoqe e mirë. Bisedon shumë me mua dhe unë e pyes për çdo gjë. Ajo i shikon të gjitha shfaqjet e mia dhe më thotë kur nuk i pëlqen. Kur marr pjesë në emisione televizive, nuk i pëlqen kur rëndohem shumë në tualet, ose kur eci rëndë…

A ndjek ajo dhe bashkëshorti çdo shfaqje tuajën?

Bashkëshorti i sheh më rrallë shfaqet e mia, sepse është i zënë me punë.

Si nisin ditët korçare të Zamirës?

Dita ime fillon me përkujdesjet ndaj vajzës, me një kafe dhe menjëherë nxitoj për në teatër. Mbasi mbaroj provat, pi sërish një kafe me mikeshat e mia. Në drekë përgatis gjithçka që duhet për drekën dhe pastaj merrem me detyrat e vajzës. Pasdite shkoj sërish në prova, kur jam para një shfaqjeje. Nëse nuk kam prova, nuk dal ose dalë rrallë. Darkat i kaloj në shtëpi.

Ç’raport keni me serenatat, a këndoni?

Nuk kam ndonjë lidhje të ngushtë, ndonëse babai im i këndonte dhe gjithë jetën i kam dëgjuar me kënaqësi. Me shoqëri edhe këndojmë ndonjëherë, por nuk jam shumë e lidhur me serenatat, ndonëse bashkëshorti im është muzikant dhe luan në kitarë. Kemi kënduar njëherë “Kur nata Korçën e mbulon” në një festë familjare, por vetëm kaq. Gjithsesi serenatat janë të bukura.

Momenti më i lumtur në jetë, cili ka qenë?

Momenti më i bukur ka qenë momenti kur jam bërë nënë. E prisja prej vitesh një fëmijë dhe fakti që mësova se do të sillja në jetë një fëmijë më lumturonte. Ajo lindi në 28 nëntor 2002 dhe sivjet mbush 10 vjeçe. Ajo është jeta ime, shpirti im, zemra e vogël që rreh brenda meje. Më ka ndryshuar jetën. Ma ka bërë më të bukur. Më ka marrë kuptim jeta.

Po ai më i trishtuari?

Momenti më i trishtuar ka qenë humbja e babait. Ai vdiq një vit mbasi lindi vajza. U gëzua shumë, por nuk mundi ta shijojë gjatë këtë. E kam vuajtur shumë humbjen e babait.

Çfarë përjetoni kur humbni një mik?

Unë e vuaj humbjen e miqve. Një moment tjetër i trishtuar për mua ka qenë vdekja e Aleko Prodanit në skenë, kur luante me mua. Kam humbur edhe miq të tjerë në këtë mënyrë… Është e dhimbshme.

Dashuria, çfarë është për ty?

Dashuria për mua është gjëja më e bukur. Pa të, si do mund të jetoja?!

Zbehet apo forcohet më shumë ajo me kalimin e viteve?

Vitet nuk e zbehin absolutisht, përkundrazi e forcojnë. Ajo vazhdon gjithë jetën me të njëjtën forcë. Unë për vete kështu di të dua, fort dhe bukur. Bëj gjithçka që ta mbaj dashurinë dhe martesën time të bukur dhe me emocion.

Do ta falnit tradhtinë?

Unë gjithmonë kam thënë: “Kur do fort edhe fal”. Por tani them “S’ka nevojë të fal, se s’ka për të më ndodhur.”

Xhelozia, e dobishme apo plangprishëse?

Xhelozia është e bukur, por kur nuk teprohet. Mes nesh nuk ka vend për xhelozi edhe kur ndodh është e lehtë jo shqetësuese. Është më tepër ngacmuese.

Çfarë ju tremb në jetë?

Në jetë më trembin sëmundjet dhe vdekja, herë-herë dhe vetmia.

Kur do t’i thoni stop skenës?

Kur të mos kem më fuqi. Përsa kohë kam shëndet dhe jetë, sigurisht edhe oferta, do vazhdoj të luaj.

Një shpirt i madh është brenda një artisti, apo artisti fshihet në një shpirt të madh?

Të dyja qëndrojnë.

Zamira, reflektoni mirësi në fytyrë dhe në buzëqeshjen tuaj. Ua kanë marrë ndonjëherë për dobësi?

Ndoshta edhe ma kanë marrë për dobësi, por mua nuk më ka shqetësuar. Unë jam kjo që jam dhe nuk mund të jem ndryshe, sepse nuk do të jem më Zamira.

mapo.al