Me kë jeton?
Për momentin jetoj vetëm me mamanë time.
Cila është gjëja më e bukur e të qenit single?
Besoj, mungesa e përgjegjësisë në fuqi të dytë apo e një familjeje më të plotë.
Po gjëja më e keqe?
Jam gjithmonë pozitive ndaj konceptit të familjes, e cila është një përkrahje e rëndësishme, kështu që mungesën e saj do e konsideroja një sforcim të madh për t‘ia dalë mbanë.
Ke dalë në ‘blind date’, në takim të sajuar nga të tjerët me dikë që nuk e ke njohur më parë?
Me sa di unë, jo, nuk më ka ndodhur. Edhe nëse ndonjëherë mund të jenë nisur me këtë ide, fakti që nuk e kam kuptuar tregon edhe që nuk ka funksionuar.
Kush e ka “problem” beqarinë tënde?
Askush. Në shtëpinë tonë, si prindërit ashtu edhe motrat janë martuar kur e kanë parë vetë të arsyeshme. Mua gjithmonë më kanë parë si të voglën e familjes, kështu që për fat nuk i vënë re vitet që shkojnë dhe aq më tepër unë vetë.
Gënjen ende kur del në takim me dikë? Kë gënjen dhe si?
Nuk kam pasur arsye të gënjej për diçka të tillë, duke qenë se gjithmonë kam dashur ta vetëmenaxhoj veten sipas moshës. Parapëlqej të mos flas për çdo detaj dhe të tregoj vetëm nëse kam diçka interesante për të treguar....
Mbrëmjet e tua tipike të fundjavës si janë?
Kanë ndryshuar gjithmonë edhe me kohën. Më parë kanë qenë tipike daljet me shoqërinë, ku rrinim deri vonë duke kërcyer. Më pas kanë qenë më tepër të zëna me aktivitet, ndërsa momentalisht parapëlqej që ta ndaj midis aktivitetit të mundshëm, ose kur kam pushim preferoj mbrëmjet me miq apo të afërt, ku mblidhemi duke pirë diçka, duke biseduar deri vonë, duke udhëtuar ose edhe thjesht duke ndenjur në shtëpi, duke fjetur gjatë.
Kur del në fundjavë, kur kthehesh në shtëpi?
Mami im thotë gjithmonë duke qeshur “ti hallin të dalësh ke, se po dole…hajde të kthehesh” Më pëlqen përgjithësisht nata dhe ndoshta ngaqë jam mësuar të kem aktivitet në orë të vona, por edhe sepse natën ka më pak trafik dhe miqtë e mi apo kolegë i gjen më shpesh në xhiro për t‘i takuar.
Kur e ke dëgjuar për herë të parë urimin ‘me një fat të mirë ose ‘në dasmë’?
E kam dëgjuar që herët, shpesh në shtëpi duke qenë tri motra, gjithmonë njerëzit që na vizitonin e kanë pasur si urim kryesor ‘në dasmë të vajzave’. Gjë që shpesh na bënte për të qeshur kur ishim të vogla dhe si batutë i ktheheshim ‘goja mjaltë’
Të pëlqejnë dasmat e të tjerëve?
Jo gjithmonë, por kur janë të afërm apo miq të ngushtë mallëngjehem.
Po për tënden a mendon?
Më duket një impenjim, shpenzim madh dhe i përgjegjshëm. Dhe pse si çdo femër imagjinoj fustanin e bukur si nëpër filma, sapo mendoj angazhimin e madh, më zë paniku.
Shumica e miqve janë single apo të martuar?
Duke pasur miq të moshave të ndryshme, një pjesë janë të martuar madje edhe me fëmijë, një pjesë tjetër ende në përfundim studimesh, por edhe disa të tjerë ende të pavendosur, të cilëve mbeta duke iu uruar çdo Vit të Ri, ‘qoftë ky viti i vendosjes’.
Sa shpesh fton njerëz në shtëpi?
Të them të drejtën, shtëpia ime nuk ka qenë ndonjëherë e madhe si m2, por tepër e madhe bëhej. Duke mbizotëruar gjinia femër, shoqet e secilës prej nesh kanë pasur derën e hapur dhe gjithmonë kanë dëshirë të rrinin tek ne. Krijohej një ambient i ngrohtë, i pazëvendësueshëm. Edhe tani që jam vetëm me mamin, kur vijnë motrat ose kur na vijnë miq që jetojnë larg, i rikujtojmë ato momente duke u rimbledhur e ndenjur deri vonë. Është e vështirë ta imagjinoj veten për një kohë të gjatë vetëm në ambientet e shtëpisë, është shumë më bukur plot.
Për çfarë shpenzon më shumë?
Ah, unë kur e shoh portofolin plot nuk rri dot pa e zbrazur me darka, dreka apo udhëtime.
Sa herë në javë gatuan?
Deri tani asnjë herë në javë
Cili është specialiteti yt?
Besoj që ende nuk e kam gjetur, duke qenë se ende nuk kam gatuar mjaftueshëm.
Mund të gatuash edhe vetëm për veten?
E kam më të lehtë të gatuaj vetëm për veten në fakt, se në fund, të paktën nuk do thosha që nuk kam gatuar mirë
Cilin nga këto numra shërbimesh ke në celular: taxi, ambulancë, polici, elektricist, hidraulik, shërbim taxi..?
Për momentin vetëm atë të policisë, gjithmonë i humbas numrat.
Deri kur do vazhdosh të jesh single?
Deri kur të marr vesh që jam martuar