Redon Makashi: Ja pse e urrej tallavanë


Redon Makashi ka pohuar se ai tash e 20 vite rresht u është ruajtur eksperimenteve me muzikë komerciale dhe i ka qëndruar larg turbofolkut dhe tallavasë.


Këngëtari nga Shqipëria thotë se kjo ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme, që vërtetë mund t’i ketë kushtuar tek të ardhurat, por ai ka arritur të ruajë llojin e muzikës që ai pëlqen.

“Unë personalisht nuk bëj kurrë një muzikë që të dal jashtë natyrës time. Mund të sjellë të ardhura kjo lloj muzike, por unë dua të ndjehem mirë nga ajo muzikë që unë bëj. Dua që muzika ime t’i rezistojë kohës. Ndaj nuk e bëj dot këtë lloj kompromisi me veten time”, ka thënë Redoni për NOA.

“Për sa i përket pëlqimit në masë edhe këtu ndikon media. Duke e dëgjuar përditë atë lloj muzike, normal që të futet në gjak. Kam përshtypjen që tregu ka qenë për një periudhë i dominuar nga tallavaja dhe turbofolku”.

“Por rinia tani po e kthen vëmendjen tek muzika e mirë. Nuk është më një periudhë dominuese për atë lloj muzike. Unë e shoh këtë ndryshim tek grupet e rokut. Nëpër clube nuk preferohet nga rinia më kjo lloj muzike”, ka shtuar Redoni. /Telegrafi/