LONDER-Lajmet për Rita Orën kohëve të fundit po fillojnë të jenë të bezdisshme, por dalja e saj në "The Guardian" nuk lë shumë për të dëshiruar. Me titullin "E lindur e gatshme - Jay Z më ka thënë se mund të jem po aq e famshme sa Rihanna", Ora është sjellë në numrin e datës 12 prill bashkë me botimin e gazetës së famshme. Tim Jonze, gazetar i kësaj medieje prestigjioze e i cili gjithmonë merret me kritikën dhe tendencat e fundit të muzikës mbarëbotërore, i ka kushtuar një faqe Orës, duke e quajtur si një vajzë karizmatike e cila "tmerrësisht shpejt po përparon në muzikën e kohës, dhe kjo nuk po i kushton më një mund të madh, si ndodh tek të tjerët".
"Nuk e besoj se do të ketë një Rihanna të ardhshme, por Jay Z më ka thënë se unë mund të jem po aq e suksesshme sa ajo. Në fillim të gjithë e njihnin Rihannën si vajzën e bukur nga ishulli, por Jay Z e dëshiron edhe një tjetër sukses si të Rihannës. Mendoj, ajo jam unë", thotë mes tjerash Rita Ora në këtë artikull dedikuar asaj.
"The Guardian" e përshkruan Ritën si vajzën të cilën mund ta identifikoni shumë lehtë: me një masë të çoroditur flokësh prej biondeje magjepsëse. "Ajo dikur adhuronte Spiceworld dhe Celine Dion, ndërsa edhe sot mban një bluzë klasike me fytyrën e Dion. Dallimi mes saj dhe Rihannës është se Rihanna vjen nga Barbadosi, ndërsa Rita është lindur në Kosovë e dikur u shpërngul në Londër", shkruhet mes tjerash në artikullin e "The Guardian". Me një fotografi të madhe në print dhe tri të tilla në web, Ora në intervistë nuk ka harruar të tregojë krenarinë e saj prej kosovareje. "E kam thënë dhe vazhdoj ta them se vij nga Prishtina dhe jam krenare. Bashkëpunimet me Jay Z ose Drake janë të një volumi të madh, por kjo nuk do të thotë se duhet t'i harroj njerëzit e mi",- thotë Rita Ora. Hitet e saj të fundit janë lavdëruar tej mase, ndërsa brenda javës do të prezantohet edhe një projekt i ri i saj. Në intervistë ajo është pyetur edhe për bashkëpunimet e saj me këngëtarin Drake.
"Ai u këndon femrave në atë mënyrë, që ato lehtë mund të dashurohen në të. Ai e ka pranuar se është lënduar dhe dikur ka qarë për një femër, dhe mendoj se kjo është e arritura e burrit. Kur e pranon se është lënduar, edhe pse shumica e gjinisë mashkullore nuk kanë sedër të pranojnë diçka të tillë",- thotë Ora në rreshtat e fundit të intervistës.
(d.b/GSH/BalkanWeb)