Klaudia Veseli: Erioni më pëlqente mua që jashtë BB5

Klaudia, vajza simpatike që u largua me dëshirën e saj nga “Big Brother”, rrëfen në këtë intervistë gjithçka lidhur me Erionin, marrëdhënien e saj me të dhe njohjen me Sonjën. Sipas saj, Sonja me Erionin kanë pasur mes tyre vetëm një histori seksuale prej një jave, duke e ditur që Erioni pëlqente Klaudian. ”Nuk kam marrë asnjë të dashur, sa kohë unë me Erionin kemi pasur vetëm pëlqim…as puthje, as seks brenda në shtëpi”, – thotë Klaudia lidhur me këtë temë të shumëdiskutuar jashtë. Klaudia gjithashtu rrëfen se me Erionin njihej si fytyrë jashtë dhe madje ai ka pasur pëlqim për të. Këtë gjë e ka ditur edhe vajza që bëri deklaratat në shtyp se Klaudia i mori të dashurin, gjë që sipas Klaudias nuk është aspak e vërtetë. Ajo gjithashtu tregon edhe për takimin me babain e Erionit dhe për dëshirat e saj tani që loja mbaroi. “Do të heq dorë nga jeta e natës,- ka thënë Klaudia, – pasi më ka lodhur shumë”.



Klaudia, pasi vendose të dalësh nga “Big Brother”, je penduar tani që je jashtë?

Jam penduar në thonjëza, sepse po shoh që ka rënë shtëpia në qetësi pa Klaudian. Po shoh që kanë filluar të dashurohen shumë me njëri-tjetrin. Do kënaqesha shumë të futesha si e infiltruar, t’i aktivizoja pak. Vetëm për këtë jam penduar.

Do doje të riktheheshe edhe njëherë?

Të rikthehesha që të stimuloja. Kanë harruar përse kanë marrë pjesë aty brenda. Të paktën kështu i shoh tashmë nga jashtë.

Në “Big Brother” ke treguar anën më agresive. Përse nuk tregove dhe anën tjetër tënden?

Nuk m’u dha mundësia nga banorët. Nuk m’u dha mundësia nga situatat që krijoheshin aty brenda. Unë kam bërë edhe shumë gallata aty brenda. Kam bërë shaka me Liamin, kam bërë shaka me Gracianon. Nuk e di si është parë kjo nga publiku jashtë.

Duke qenë se ke jetuar shumë jashtë shtetit, si u ndjeve me banorët?

Shumica aty kishin jetuar jashtë shtetit dhe nuk është se u ndjeva keq për këtë gjë. Thjesht ishin tipa të kundërt me mua. Problemi nuk ishte aty. Mua më sulmuan që në fillim duke më parë si konkurrente të fortë. Kjo ndoshta më pengoi që të nxirrja anën pozitive.

Cilët prej banorëve ishin më pozitivë sipas teje?

Për mua vetëm dy prej tyre ishin pozitivë dhe ishin ata me të cilët unë u lidha më shumë: Ermira dhe Erioni. Të tjerët jo negativë, po ishin më tepër lojtarë.

Veten tënde, çfarë lojtare e konsideron?

Me çfarë kam dëgjuar jashtë nga njerëzit, e konsideroj veten dhe e mendoja veten një nga finalistët e “Big Brother”. Të paktën sa i përket femrave.

Është diskutuar shumë çështja e punëve të shtëpisë…

Nuk e di se çfarë është diskutuar, por realisht ishin disa persona brenda që thoshin, jo pse ta bëj unë…. Ishte paksa nga ana e të gjithëve, bashkë me mua, përtesë tek kjo pjesë. Kishim më shumë qejf të ziheshim me njëri-tjetrin sesa të merreshim me diçka tjetër.

Duket se kulmi i agresivitetit tënd ishte kur të erdhi në “majë të hundës” për cigare. Vërtet ato ishin shkaku?

Është folur aq shumë për cigaret, sa më ka ardhur në majë të hundës, sepse unë konsumoj cigare si të gjithë njerëzit e tjerë. Imagjinoje veten mbyllur në një shtëpi, pas një stresi me temperaturë 41, imagjino të të heqin dhe cigaret. Mendoj se të njëjtin reagim do kishin gjithë njerëzit që pinë cigare. E kam thënë edhe brenda këtë gjë, që ka njerëz që janë të varur nga cigarja deri diku dhe ka njerëz që janë të varur nga substanca të tjera dhe nuk pinë cigare. Unë isha një nga ato që isha e varur nga cigarja. Në momentin që pi një cigare, të paktën reflekton.

Lidhja me Erionin…Në fillim patët një pëlqim, pastaj çfarë ndodhi?

Si fillim nuk ka qenë lidhje, por pëlqim reciprok. Pastaj nuk e di çfarë pati Erioni që ndryshoi. Nuk e di nga se, por nuk më pëlqeu ky ndryshim drastik i Erionit.

Është e vërtetë që me Erionin njiheshit që jashtë shtëpisë?

Si fytyra po. Ai punon natën, po ashtu edhe unë. Nga larg, po njiheshim, por nuk kemi folur asnjëherë. Thjesht jemi parë, por komunikim nuk kemi pasur.

Meqë jemi këtu dua të të pyes pak për historinë që ka qarkulluar jashtë, që ti e ke njohur të dashurën e Erionit…?

Unë nuk e di që Erioni ka deklaruar që ka të dashur në Tiranë. Di një deklaratë të Erionit për ish të dashurën në Greqi. Nuk e di nga ka dalë kjo e dashura. Unë di që mesa më është thënë nga të dyja palët, si nga vajza dhe nga djali (sepse atë vajzën e njoh), ka qenë një marrëdhënie seksuale prej një jave. Nuk e di nëse konsiderohet e dashur. Vajza që e ka nxjerrë i ka bërë një reklamë shumë të keqe vetes, sepse më detyron edhe mua të them këto gjëra. Nuk e kuptova ku ia mora të dashurin, në momentin që unë as nuk u putha me Erionin, as nuk iu futa në krevat.

Realisht e njeh këtë vajzën, Sonjën, apo e ke shoqe?

Nuk e di nëse një muaj që e njoh konsiderohet shoqe e ngushtë, atëherë po, e kam shoqe të ngushtë me një muaj.

E dije që ishte Erioni partneri i saj?

E ripërsëris, nuk ishte partneri i saj. Në momentin që do të ishte partneri i saj, Erioni do ta kishte përmendur një herë të paktën. Kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë.

Po them për jashtë shtëpisë…

Po, e dija që kishin një lidhje seksuale, siç vajza nga ana tjetër e dinte që Erioni (e thënë nga unë kjo gjë para se ajo të dilte me Erionin) më ka pasur qejf. Këto më duken shumë muhabete banale….

Ideja është që ta sqarojmë për gjithë lexuesit këtë gjë, pasi ajo ka thënë që i more të dashurin dhe u fute me rrobat e saj në BB…

Nuk e di unë me çfarë rrobash të saj jam futur në BB, pasi mua veshjet më kanë ardhur nga familja ime. Jam futur me rrobat e mia. Më pëlqen ta theksoj, që vajza e dinte që në fillim pëlqimin që Erioni kishte ndaj meje. I është thënë që në fillim dhe ka vazhduar historinë seksuale me të. Pastaj për pjesën tjetër është më mirë që kur të dalë Erioni ta diskutojë vetë. S’e di sa të dashura ka pasur Erioni në Shqipëri, vetëm ai mund t’i sqarojë më mirë gjërat.

Dua të ndalem pak tek mesazhet që t’u lexuan në “Fan Club”…

Ato nuk kanë qenë absolutisht mesazhet e mia. Nuk e di nëse vajza i ka dërguar të manipuluara, por të tipit “si e ke burrin”. Ishin mesazhe ‘What’s up’. Është publicitet i keq për veten e saj, sepse mua nuk më bën asnjë lloj gjëje. Unë jam afruar me Erionin pasi ka qenë fytyrë më e familjarizuar për mua, pavarësisht pëlqimit nga ana e atij apo nga ana ime.

Pëlqimi ishte reciprok…

Publiku e ka parë vetë këtë gjë…

Puthjen tënde me Erionin si e komenton? Veç lojës pati ndonjë ndjesi tek ju të dy?

Nuk komentoj për këtë gjë. Do pres të dalë Erioni. Nuk më pëlqen të flas për këto gjëra kur dikush nuk është prezent. Më mirë në momentin që të dalë ai të konfrontohemi tek kjo gjë.

Nëse Erioni do të të kërkojë të lidheni jashtë?

Pse jo?! Pëlqimi nga ana e të dyve ekziston. Pastaj se çfarë do të jetë kur të dalë Erioni, ngelet për t’u parë. Mund të jetë një shoqëri, diçka më shumë, nuk i dihet…

Klaudia, si ka qenë jeta jote jashtë Shqipërisë?
Ah këtë po. Paskam punuar edhe striptiste…nuk e dija (qesh). Jeta ime ka qenë si e çdo emigranti. Kam jetuar me familjen time, kam bërë shkollën atje. Kam punuar si kameriere dhe asgjë speciale apo bërë ndryshe, siç qarkullojnë thashethemet që absolutisht nuk janë të vërteta.

Kush mendon se i ka nxjerrë këto thashetheme për ty?

Nuk e kam idenë. Ai që i ka nxjerrë, më bëhet qejfi që ka kohë të merret me mua. E thashë edhe më sipër, rëndësi ka që flitet për Klaudian, pastaj mirë apo keq kjo është një pjesë tjetër. Varet sa e fortë do jem unë ta përballoj.

Mamaja jote çfarë të ka thënë pasi ke dalë?

Ajo është bërë pishman që unë kam dalë. Vetëm prej saj pata një moment dobësie pse dola. Më tha “jam shumë krenare për ty. Nuk ke bërë asgjë që mua do më prekte. Duhet të vazhdoje”.

U fute në “Big Brother” duke qenë pjesë e jetës së natës. Kishe frikë se do komentoheshe për këtë?

Njerëzit më kanë komentuar para se të futesha në BB. Nuk e kisha problem sepse më ishte mësuar veshi me fjalë të tilla, si jo punon natën…etj. Nuk e kam pasur fare me frikë këtë pjesë.

Çfarë mendon se do të përfitosh nga eksperienca në BB5?

Nuk e di, por shpresoj vetëm gjëra të mira. Pas gjithë këtyre thashethemeve uroj vetëm ndonjë gjë pozitive tani.

Ishte tërësisht strategjia jote në lojë, apo dhe e stimuluar disi edhe nga Erioni?

E stimuluar nga Erioni jo, sepse ka qenë e qartë që secili bën lojën e vet. Unë nuk kam mbrojtur ndonjëherë Erionin dhe as ai mua. Ajo ishte Klaudia në atë mënyrë që unë e mendova të luaja.

Banorët më të fortë cilët janë?

Unë mendoj Liami, Ermali, Genta dhe Arbri.

Ç’mendon për Françeskën dhe Ermalin?

Lojë. Është e deklaruar që është lojë, të paktën nga ana e Ermalit.

Konfliktet më të ashpra me kë i ke pasur?

Ndoshta me Ermalin. Ka qenë i vetmi që përballej me mua.

Po nga femrat?

Nëse ka pasur femra në atë shtëpi, do të të ktheja një përgjigje, përveç meje dhe Françeskës.

Babain e Erionit e ke takuar?

Po, e kam takuar.

Çfarë të ka thënë?

Janë gjëra shumë private. Nuk dua t’i komentoj.

Ndonjë gjë të vogël?
Që jam vajzë trendi…(qesh) Nuk dua të komentoj asgjë. E kam takuar dhe kjo gjë mjafton.

Tani çfarë do bësh. Do vazhdosh me jetën e natës?

Jo. Uroj që të ndryshojë punë, sepse jeta e natës më ka lodhur shumë. Do pres, çfarëdo të më ofrohet, por nuk do të jem më pjesë e jetës së natës.

Jonida Hitoveizi Mapo