Ciljeta Xhilaga vizite ne burgun e te miturve
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri - CRCA/DCI Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Institutin e të Miturve në Kavajë organizuan një aktivitet me të miturit që vuajnë dënimin ose janë në pritje të gjykimit, me pjesëmarrjen e këngëtares së mirënjohur Çiljeta Xhilaga. Aktiviteti u zhvilluar nga ora 10.30 deri në orën 13.00 në Institutin e të Miturve në Kavajë, i pari i këtij lloji në vendin tonë, në kuadër të programit “Mbështetja për të Miturit në Institutin e të Miturve Kavajë” mbështetur nga “Save the Children” Shqipëri dhe UNICEF. Vizita e parë e këngëtares Xhilaga pati një impakt shumë pozitiv tek 38 të miturit, të cilët për herë të parë patën jo vetëm mundësinë të takonin një personazh publik, por edhe të uleshin për disa minuta e të bisedonin me të. Gjatë bisedave të përbashkëta me të miturit u diskutua lidhur me aktivitete që ofronte institucioni, bashkëjetesa në institucion, kurset që ndiqnin të miturit, historitë e tyre etj. Në bisedat e përbashkëta në grup nuk munguan batuta miqësore, komente si dhe komplimente për Xhilagën. Premtimet e këngëtares për organizimin një aktiviteti tjetër me personazhe të tjerë publikë entuziazmoi dhe më shumë të miturit, duke iu lehtësuar bashkëjetesën në institucion e kontribuar në ri-integrimin sa më të suksesshëm të tyre. Në gjithë vizitën e saj, Xhilaga, ndau me të miturit mesazhe prekëse dhe domethënëse si “Jeta e gjithsecilit prej nesh, nuk mund të përcaktohet vetëm nga një zgjedhje e gabuar në të kaluarën, por është detyra jonë që të mendojmë se si të ecim përpara dhe të rifitojmë forcat për të mbijetuar”; “gabimet e së kaluarës duhet të shërbejnë si mësime dhe jo si dënim që duhet t`i bëjmë vetes” apo “ të gjithë së bashku në mund ta bëjmë botën një vend më të denjë për të gjithë”. Çiljeta Xhilaga me pjesëmarrjen e saj në këtë institucion ka treguar një gjest human, duke iu dhuruar një ditë ndryshe, të miturve të këtij institucioni të privuar nga liria.
