Akuza e Enxhit ndaj Bombajt: Modelja rrezikon burgun

Në seancën e datës 21 mars, Leonard Bombaj e vendosi ta shtyjë gjyqin e hapur ndaj modeles 23-vjeçare Enxhi Kamenica, me një kërkesë ku jepte arsyen e shtyrjes për t’i dhënë asaj edhe një mundësi tjetër për normalizim të marrëdhënies mes tyre. Por tashmë që një gjë e tillë me sa duket nuk ka ndodhur, për shkak të zhvendosjes së Enxhit në Kosovë, të premten ajo është thirrur si “e pandehur” pasi çështja nga gjykimi si çështje civile ka kaluar në çështje penale. Kjo do të thotë se në qoftë se Enxhi deri tani rrezikonte gjobë, tashmë rrezikon burgun, gjithmonë nëse shpallet fajtore. Mbi Enxhi Kamenicën tani rëndon akuza “fyerje e shpifje”, mbi bazën ligjore neni 119 (neni 120/2) dhe çështja do të gjykohet nga gjyqtarja Ardiana Bera. Bombaj akuzoi Enxhi Kamenicën për “shpifje” në deklaratat e saj në emisionin “Zonë e lirë”, akuza që iu bënë në muajin tetor, ku ajo e ftuar në këtë emision të Arian Çanit përdori termin “pedofil”, duke iu referuar Leonard Bombajt. Pikërisht etiketimet “pedofil” dhe “përdhunues” ndaj regjisorit nga ana e modeles Kamenica, kanë qenë arsyeja që Bombaj e ka paditur 23- vjeçaren për veprat penale të “fyerjes” dhe “shpifjes”, të bëra botërisht, pas çështjes penale që ai pati me një minorene, e cila e akuzoi artistin për përdhunim. Për dëmin e pësuar nga deklaratat e vajzës, që u bë e njohur në televizion nga pjesëmarrja e saj në programin “Big Brother Albania”, Bombaj kërkon dëmshpërblim në para në shumën 10 milionë lekë. Sipas nenit 119, fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Mbi Enxhin rëndon dhe akuza e shpifjes, që sipas nenit 120/2 shpifja është vepër penale që kur kryhet botërisht në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.