Shtyhet gjyqi, Enxhi Kamenica nuk gjendet per tu njoftuar


Gjykata e Tiranës nuk ka mundur dot të lokalizojë banesën e Enxhi Kamenicës e për pasojë është shtyrë dhe seanca e parë gjyqësore, ku Kamenica është e paditur nga ana e Leonard Bombajt për shpifje dhe fyerje të bërë botërisht. Bombaj nga ana e tij është shprehur sot se kërkon që gjyqi të nisë sa më shpejt dhe se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Gjykata vendosi seancën e radhës më datë 9 mars, duke i lënë kohë autoriteteve që të lokalizojnë Kamenicën, për t’i njoftuar nisjen e gjyqit ndaj saj. Në muajin janar 2012 Leonard Bombaj bëri padi në Gjykatën e Tiranës ku kërkonte si dëmshpërblim shumën e 10 milionë lekëve nga Enxhi Kamenica, vajza e “Big Brother”, e cila para pesë muajsh tek emisioni “Zonë e Lirë” e ka quajtur regjisorin shqiptar “pedofil” dhe “përdhunues”. Bombaj e akuzon gjithashtu 23-vjeçaren për veprat penale të “fyerjes” dhe të”shpifjes” të bërë të gjitha këto në televizion. Sipas regjisorit, nëna e tij 70-vjeçare kur dëgjoi atë fjalë ishte rënduar shumë psikologjisht, kurse vetë regjisori ndërpreu punën e tij për një javë. “E para, mos e thërrasim me emrin Leonard Bombaj, se nuk ndihem mirë unë. Do e pagëzoj dhe do bëhem kumbara e tij, pse mos e quajmë pedofili? Kam informacion nga njerëz të afërm të tij, domethënë kam dëshmitarë okularë që kanë parë paturpësinë që ai ka bërë me nxënësit e tij” , ka thënë ndër të tjera Kamenica në intervistën e saj në emisionin televiziv, ndërsa tashmë Bombaj kërkon prej saj 10 milionë lekë si dëmshpërblim.


gazeta mapo