Eni Koci: Djemte me konsiderojne si shok

E shkathët, sa e ngjashme, aq edhe e ndryshme nga e motra- Greta Koçi, më e vogla, Eni, spikati sapo doli në skenën muzikore, pak vite më parë. Me fare pak këngë, por me shumë vetëbesim, ajo arriti t’u përçonte të tjerëve mesazhin se vërtet mund “të bënte dëm”, siç është edhe titulli i një kënge që 16-vjeçarja këndon me Gretën. Kënga e saj më e fundit me klip, që e këndon me reperin kontrovers Noizy, ka thyer rekorde në youtube, pasi ende pa u lançuar klipi, është klikuar mbi 1 milion herë. Për këngën e re, pasionin për politikën, marrëdhënien me të motrën Gretën, si dhe sidomos thashethemet dhe nismën më të re të kryeministrit për të ndërmarrë masa ndaj gazetarëve që shpifin për personazhet VIP, Eni shprehet më poshtë, në intervistën për “standard”. “Njerëzit nuk kanë punë tjetër, por vetëm të trillojnë gjëra. Na kanë bërë me 100 operacione plastike, na kanë martuar e fejuar që në moshën 13-vjeçare…, cfarë nuk thonë njerëzit. Nëse një gazetar shpif, duhet dënuar me ligj sepse është diçka e padrejtë”, tregon mes të tjerash këngëtarja simpatike.
Eni, ti dhe Noizy sapo keni lançuar këngën tuaj me klip “Je gjithçka”. Si u bë i mundur ky bashkëpunim, që nuk është i pari për ju?
Klipi “Je gjithcka” është vazhdimi i bashkëpunimit tim të parë me Noizy-n, “So hot”. Në këtë video shfaqemi si një çift tepër i lumtur derisa Noizy-t i rikthehen sërish problemet me policinë dhe i duhet të largohet nga shtëpia, edhe pse me një dhimbje të madhe vetëm që unë të isha e qete nga problemet që ai shkaktonte. Që të jem e qartë- është thjesht një videoklip, pra aktrim e gjitha!
“Je gjithçka”, ka thyer çdo record klikimi në youtube, vetëm pak ditë pas lançimit. I ke parë shifrat që lëvizin me shpejtësi?
Po, dhe më vjen shumë mirë. “Je gjithcka” u shndërrua në hit ende pa dalë videoklipi. Kishte vetëm një muaj që ishte publikuar në internet dhe arriti 1.500.000 vieë…, një rekord që në këtë moment. Pa dalë klipi arriti në 2 milionë. Në fakt, kemi punuar shumë për këtë këngë, me zemër dhe besoj se ky është shpërblimi më i mirë që mund të merrnim.
Të gjithë bashkëpunimet e deritanishëm, përveç atij me Gretën, i ke me reperë, Noizy, Capital T. Kaq shumë të pëlqejnë reperët?
Hahahah, jo është thjesht rastësi. Me Capital T unë isha konkurrente te “Kënga Magjike” dhe për të përfaqësuar sa më mirë këngën “Diva” duhej patjetër një reper, e aq më tepër që Capital T është një nga më të mirët që kemi. Ndërsa me Noizy-n ideja për të bashkëpunuar ka lindur që kur u takuam në provat e “Këngës Magjike” . Miqësia na ka vajtur shumë mirë, puna po ashtu shumë mirë ndaj edhe do të vazhdojnë projektet me Noizy-n, edhe pas këngës “Je gjithcka” …
Eni, ti vetë bën edhe tekste këngësh, ndërkohë që je angazhuar edhe në radion tuaj, GM Radio. Po kohën për të mësuar kur e gjen?
Deri më tani, këngët e mia, si edhe disa tekste, jo vetëm të miat- i kam realizuar dhe vazhdoj t’i realizoj vetë si kompozimin ashtu edhe tekstin. Përsa i përket angazhimit në radio, unë e kam shkëputur pikërisht për arsyen e shkollës, sepse nuk mund ta lija pas dore.
Ti arrite në shumë pak kohë të futeshe mjaft fuqishëm në tregun muzikor. Shumë këngëtareve të tjera u është dashur shumë më tepër kohë e punë. Cili është sekreti yt?
Mendoj se duhet të përcjellësh diçka të veçantë tek publiku dhe ta bësh muzikën sepse e do vërtetë, ta realizosh me zemër. Nuk besoj se ka ndonje sekret tjetër …
A mendon se të xhelozojnë ose të kane inat për këtë shkak? Mendon se si te teksti i këngës suaj të dikurshme “ti u bën dëm” këngëtareve të tjera të reja?
Xhelozi ka kudo, në çdo fushë … Kjo të bën dëm për mirë sepse të shtyn më shumë për të punuar.
Ti je një artiste shumë e komentuar në facebook. C’ndjesi të krijon kjo gjë?
Sigurisht që sa më shumë të përflitesh, qoftë për mirë, qoftë për keq, tregon që e kanë vëmendjen tek ty dhe të duan. Nuk është se më krijon më ndonjë ndjesi, jam mësuar me këtë fakt dhe nuk është se i lexoj shpesh në fakt.
Eni, e ke menduar edhe ti të ecësh në gjurmët e politikës, sikurse Greta? A të pëlqen politika dhe a I ndjek zhvillimet e saj?
Po, më pëlqen jashtë mase shumë politika dhe e ndjek rregullisht, sidomos idhujt e mi në politikë.
Për çfarë të këshillon më së shumti Greta? Është e vërtetë që ti je si “çuni” i shtëpisë?
Greta për çfarë nuk më këshillon thuaj… për çdo gjë. Hahahha, është mese e vërtetë që jam “çuni” i shtëpisë. Çdo gjë e bën Eni, më e vogla, më e shkathta. (Bëj shaka)
Eni, a ke degjuar për nismën e kryeministrit për të marrë masa ndaj gazetarëve që shpifin për VIP-at? Ti vetë a ndjehesh shpesh e cenuar nga thashethemet?
Po, sigurisht që e kam dëgjuar dhe jam shumë dakort, sepse kjo do të ishte gjeëja më e mirë për të gjithë artistët shqiptarë. Ndihem e cenuar sepse njerëzit nuk kanë punë tjetër, por vetëm të trillojnë gjëra. Na kanë bërë me 100 operacione plastike, na kanë martuar e fejuar që në moshën 13-vjeçare…, cfarë nuk thonë njerëzit. Nëse një gazetar shpif, duhet dënuar me ligj sepse është diçka e padrejtë.
Ti je marrë edhe vetë për disa kohë me gazetari. Me siguri nuk kanë munguar edhe incidentet me personazhe, sikurse ndodh në radhët e gazetarëve, apo jo? Na trego ndonjë rast të veçantë, si je përballur?
Po, jam marrë për një periudhë goxha të gjatë. Unë jam përpjekur që të mos ketë incidente, pasi shumica e artistëve janë edhe miqtë e mi. Çdo lajm që është nxjerrë në gazetë është shoqëruar me foto dhe fakte. Nëse një gazetar i disponon këto të dyja, atëherë është shumë në rregull.
Si arrin të qëndrosh në formë fizike, apo gjithçka është natyrale?
Në fakt, për shkak të ngarkesës së madhe nuk merrem më as me palestër. Kërcej shumë, e adhuroj kercimin, plus jam gjatë gjithë kohës në lëvizje.
Dhe së fundmi, si i ke marrëdhëniet me djemtë, me ata të klasës dhe jashtë saj? Ndonjë gjë të veçantë …
Djemtë, si brenda klase, ashtu edhe jashtë saj, më konsiderojnë si një shok, hahhaha. Ndoshta për shkak të tipit tim. Kur isha në fillore nuk jam zënë asnjëherë me goca, gjithmonë me cuna. (Qesh)

Gazeta Standard