Alda Dizdari, në gjurmët e Bach

Violinistja shqiptare Alda Dizdari sapo ka përfunduar një turne koncetor në Britani që nuk ka mbetur pa u vlerësuar nga kritika vendase. Ajo promovoi përmes këtij turneu një CD solo të titulluar “In the Footsteps of BACH”, diçka që për fat të keq, ka mbetur e pa zbuluar nga media në Shqipëri, ndonëse ajo vetë është paraqitur disa herë si e ftuar në programe të rëndësishme të BBC.


Ne kontaktuam me artisten e cila na tregoi për këtë përvojë të fundit, por ndau me ne edhe mallin që ndjen për vendin e lindjes, ku ajo ka kujtimet e fëmijërisë, e ku mbi të gjitha jetojnë dy prindërit e saj: Limoz dhe Adriana Dizdari.
Tashmë banore e Londrës, Alda, e cila ndihet me fat që ka lindur në familje artistësh në Tiranë, është përzgjedhur si muzikantja “Që nuk duhet humbur”, një çmim ky që akordohet nga “Gramophone Magazine”, një botim prestigjoz i kritikës muzikore në Britani. Në vitin 2010 ajo pati një debutim shumë të vlerësuar “Wigmore Hall and Southbank Centre”, me një auditor të zgjedhur e që nga ai moment ka lançuar dy CD me muzikë klasike.
Violonistja e talentuar u shfaq në vjeshtë të vitit 2011 me orkestrën simfonike “Northern Lights” ku interpretoi një koncert për violinë nga Brahms.
Përpara se të niste këtë turne me muzikën e Bach,  një rrjet i njohur britanik i promovimit të artistëve “starconnect.org” shkruante: “Ajo do të jetë padyshim një star ndërkombëtar i së ardhmes”. Të njëjtin konstatim bëri edhe Sean Rafferty, drejtuesi i njohur i emisionit “In Tune” në BBC.
E pyetur për këtë kulm të karrierës së saj, Alda tha:  “nganjëherë e kupton që gjëja më e mirë është të mos duash asgjë, e t’i lesh gjërat të vijnë tek ti… Por kjo gjendje nuk është gjithnjë e lehtë për t’u arrirë, sepse qetësia që kërkohet nuk është e lehtë të fitohet në vende si Londra, ku stresi sa nuk të merr frymën”.
Ajo është larguar shumë herët nga Shqipëria, fillimisht në Rumani e më pas në Nju Jork, e Londër. Mbasi përfundoi Masterin, vazhdoi karrierën e saj jokonvencionale të udhëhequr kryesisht nga kërkesat e saj muzikore. Megjithëse fituese e një burse në Juilliard School në Neë York ajo vendosi të shkojë në Londër për të vazhduar studimet pasuniversitare me profesorin e shquar David Takeno në “Guildhall School of Music and Drama”. Ishte fituese e bursës “Leverhulme String Fellowship” në Guildhall, ndërkohë që për një farë periudhe interpretoi me një kuartet në “Dartington Music Festival”, “Cambridge Music Festival”, “Llafyllin Music Festival”, “North Wales Concert Series”, “Fishguard Music Festival”, e përjetoi edhe një dimension tjetër të profesionit të saj: mësimdhënien në rezidencat e kuartetit në universitete si Oxford, Nottingham, Bangor, Middlesex, Durham dhe Norëich. Ajo ka luajtur në Spanjë, Luksemburg, etj.
Jeta
Vendlindja: Tiranë
Studimet e para: I ka kryer në universitetin e Bukureshtit, Rumani ku ajo studioi me Danial Podlovsky dhe më pas vazhdoi studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Master: Në Universitetin e Illinoisit me Profesor Sherban Lupu
Fitoi konkursin Concerto, konkursin Poul Rolland, cmimin “Kate Neal Kinley” si edhe çmimin më prestigjoz “ Krannert Center Debut Artist of the Year 2002 Award”. Ky sukses u ndoq më pas me nxjerjen e CD-së së saj të parë dhe deputimin live në radio nga “Deput Recital” në “Foelinger Hall”, “Krannert Centre”.


Violina e vitit 1791Në vitin 2008, Alda është zgjedhur si muzikante në rezidencën e “The Wapping Arts Trust” që është nën patronazhin e Lartësisë së Saj bashkëshortes së Princit Michael të Kentit.  Alda luan me një violin “G.B.Ceruti” të prodhuar në Kremona më 1791, dhe me një hark  “Dominique Peccatte” që vjen nga trusti “Stradivari”.
Kristi Pinderi Shekulli