Në orët e vona të të shtunës, Rita Ora ylli shqiptaro-britanik, po performonte në skenën e diskotekës shqiptare “Rinora4” të Rümlangut (Cyrih). Po në këtë kohë në Baku po kumtoheshin rezultatet e Eurovisionit sipas të cilave Rona Nishliu kishte dalë e pesta. Një koincidencë që do të donim të përsëritej më shpesh..
Në fakt, për mijëra shqiptarë të Zvicrës, të rinj e të reja, të shtunën mbrëma të gjitha rrugët shpienin në Rinora4. Ishin dy gjëra që po lidheshin në një pikë: e para ishte se aty po vinte këngëtarja që e krahasojnë me Rihanna-n, dhe e dyta, se kjo këngëtare, Rita Ora, është një shqiptare nga Kosova, e rritur në Londër.
Publiku kishte më shumë se një orë që po priste.
Muzika ritmike po pëlqehej, Dj Beka me kompani po e mbante në nivel disponimin e mysafirëve ndërsa në rreshtat e parë, rreth skenës, kishte filluar të bëhej shumë vapë. Por, ngjitja në skenë e Rita Orës është diçka e pakrahasueshme me të gjitha këto. Ajo hyri si një uragan që zë në befasi gjithçka dhe përfshin në rrathët e vet çdo gjë.
Ovacionet, klithjet dhe duart e ngritura lartë, shoqërojnë këngën dhe vallëzimin e zjarrtë të këngëtares temperamente të ardhur nga Londra. Pejanja londineze ua kthen fansave të saj adhurimin me nderim. “Mirëmbrëma shqiptarë”:, “Ku jeni shqiptarët e mi”, ose: “Nuk ka komb më të mirë se shqiptarët”…, janë disa nga sloganet që ajo ua drejton atyre, shqip e anglisht. Ndërsa dëgjimi i këngëve të saj ( i këndoi vetëm dy) ishte përjetim kulmor për masën e madhe të të rinjve që kishin ardhur sonte këtu.
Rita Ora vetëm pak orë më parë kishte kënduar në koncertin e kult grupit të njohur “Coldplay”, në stadiumin Letzigrund të Cyrihut. Afër 50.000 veta kishin qenë aty. Paraqitja me një grup të tillë, për këngëtaren e re është trasim i rrugës për te yjet. Dhe, se ajo është vërtetë fare afër yjeve, e dëshmoi këndimi, vallëzimi dhe e gjithë aura që rrethonte Ritën.
Ndërsa, siç e tha ajo për albinfon, paraqitja para bashkatdhetarëve ishte diçka e pakrahasueshme, emocion i fuqishëm që nuk e kishte përjetuar kurrë deri më sot…
Emocione të rralla kishte ngjallur Rita edhe te publiku.
Për Driton Komanin, asistent i ri në Universitetin e Cyrihut, prezantimi i Rita Ora-s ka qenë një një përjetim që rrallë u ofrohet shqiptarëve në Zvicër. “Më pëlqen edhe muzika që kultivon Rita Ora por, shkurt me thënë, kam ardhur ta shoh këtu në radhë të parë për faktin se ajo është shqiptare. Dhe për faktin se e thekson pa kompleks sa herë që i jepet rasti se ndjehet krenare me përkatësinë e saj kombëtare. Edhe nga kjo që pamë sonte, mendoj se ia ka vlejtur ardhja këtu”, përfundon Komani, i cili pranon se preferencat e tij muzikore janë megjithatë tjera.
Jetlira, Ludja dhe Donjeta, tri vajza që i pyetëm rreth përshtypjeve, flasin me adhurim për Rita Orën. Ato thonë se zhanri i muzikës që e kultivon ajo është në trend dhe se ato e parapëlqejnë shumë. Mirëpo, thotë Jetëlira, realisht, kemi pritur më shumë, të këndonte pak më gjatë. Vetëm dy këngë, sa këndoi ajo, është fare pak… Të shpresojmë që në të ardhmen të na vijë me një koncert të plotë, të vetin, këtu në Zvicër”. Albinfo