Blendi Fevziu: Ka ardhur koha te bej nje femije tjeter

Është aq prezent në shtëpitë tona, sa nuk identifikohet më me emisionin e tij, por të gjithë thonë; Çoje se është Fevziu sot… E duke qenë në vëmendjen e përditshme tonën, menduam të hyjmë pak më thellë njeriut të “Opinionit”, gazetarit i cili veç punës ka edhe një jetë të tijën, familjen, qejfet, zakonet…
Si fillim jemi kuriozë të dimë se si arrini ta menaxhoni kohën? Ka ankesa nga familja, e sidomos nga vajza për oraret e zgjatura në punë?
Qëllon që ankohen, sidomos vajza, por jo aq shpesh sa mund te mendoni ju apo ata që më shohin 4 herë në javë në ekran. Prej vitesh ka fituar një lloj disipline në organizimin e kohës dhe kjo më lejon të kem kohë edhe për të takuar vajzën, edhe për të qenë i pranishëm në shtëpi e mbi të gjitha edhe për të udhëtuar. Natyrisht, që në raport me vajzën, mungesën time, e plotëson gjithnjë ime shoqe.
Arrini dot që një pjesë të ditës t’ia kushtoni vetëm vajzës?
Po, kjo ndodh, por jo gjithnjë. Edhe vajza ka ditën e saj, me angazhimet e saj, shkollën apo kurset e shumta. Por ka kohë që qëndroj me të dhe në shumë raste, edhe kur udhëtojmë me miq, ajo me shoqet e shokët e saj udhëtojnë me ne. Nëse më pyesni a jam një baba model? Nuk besoj se jam. Puna më pengon në shumë gjëra. Telefoni që bie pa pushim dhe mesazhet e bezdisin gocën shpesh, po ajo është mësuar me këtë. Zakonisht në darkë, përpara se të flejë, rri pak kohë me të.
Në rastin tuaj ka vend shprehja “Vajzat janë të babait e djemtë të nënës”? Sa i lidhur jeni me vajzën?
Besoj se të dy, edhe unë edhe ime shoqe, jemi te lidhur shumë me të.
Do donit një fëmijë tjetër? Po vajza kërkon motër ose vëlla?
Po, kërkon vazhdimisht dhe i pëlqen kjo gjë. Natyrisht që ne s’kemi pse të mos ja plotësojmë këtë kërkesë.
Përtej punës, cili është aktiviteti që ju kënaq apo ju relakson? Cilat janë pasionet tuaja?
Ka shumë… Më pëlqen shumë të lexoj. I kushtoj kohë leximit dhe gjithnjë, sado vonë qoftë, gjumi më zë me një libër në dorë. Më pëlqen të udhëtoj dhe besoj se hyj tek njerëzit që udhëtojnë shumë. Jam shpesh në lëvizje dhe udhëtimi është një eksperiencë e mrekullueshme.
Më pëlqen të shoh futboll edhe pse jo rregullisht dhe ndjek filmat e mirë që dalin me kujdes. Po ashtu më pëlqejnë restorantet dhe ushqimi në përgjithësi. Edhe në kohë si këto që jam në dietë rigoroze.
Ka pasur ndonjë moment që keni dashur ta lini fare këtë punë?
Momente tensioni dhe lodhje plot. Momente që kam dashur ta lë këtë punë? Ende.
Cilin mbani mend si momentin më të vështirë në punën tuaj, ku ndoshta situata ju ka dalë jashtë kontrollit?
Ka plot të tilla dhe s’të bëj dot një listë të plotë. Ka momente që tensionohem ne emision, që filloj të nervozohem edhe vetë. Por këto momente vijnë duke u reduktuar. Me kalimin e kohës, njeriu fiton me shumë eksperiencë dhe siguri në punën e tij.
Po ai më i suksesshmi, cili ka qenë?
Besoj se këtë moment e kam të thjeshtë. Ka qenë debati Nano - Berisha në 31 Janar 2002. Ishte jo vetëm debati i parë mes tyre, por edhe debati i vetëm mes dy liderëve politikë kryesorë në këto 20 vite.
Momenti i dytë që e konsideroj të suksesshëm është ai kur mora vendimin për ta kaluar emisionin 4 herë në javë. Shumë vetë e kishin me frikë, por funksionoi.
Tani flasim pak për thashetheme… Ju vetë bëni të tilla?
Varet kë quani ju thashetheme. Nuk e di. Mbase po, mbase jo. Pastaj nuk është se kam shumë kohë të lirë. E kam kohën të racionuar me shumë takime pune.
Cili është thashethemi më i “tmerrshëm” që keni dëgjuar për veten?
S’e mbaj mend. Me siguri do kem dëgjuar ndonjë gjë.
Po ai që keni lexuar?
As këtë s’e mbaj mend. Më duhet të mendohem. Pastaj nuk është se shtypi merret kaq shumë me thashetheme për mua.
Opinioni juaj për shtypin rozë në Shqipëri?
Një pjesë e shtypit shqiptar, as më mëkatari dhe padyshim as më brilanti. Një gjini e domosdoshme edhe pse qëllon që nervozon shumë vetë.
I ruheni gazetarëve apo paparacëve?
Asnjëherë. As e kam mendjen madje. Unë jam mësuar me kamerën prej vitesh dhe jam vetë gazetar. Pastaj paparacët nuk kanë punë me mua, unë nuk jam personazh videoklipesh.
Duke qenë një gazetar i suksesshëm, do donim të dinim sekretin për t’u bërë i tillë. Çfarë duhet të bëjë një gazetar i ri që të arrijë suksesin?
Suksesi nuk është diçka që jepet me formulë. Gjithsesi asnjë formulë nuk transferohet dot nga një person tek tjetri. Mbi të gjitha, suksesi është diçka që vjen dhe jo që kërkohet. E vetmja gjë që mund të them, është të punojnë shumë dhe mos e kenë mendjen tek paparacët.
Një urim për numrin e 300 të “Bluetooth”…
Atë urim që bëhet gjithnjë në këto raste. Pastë sa më shumë ditëlindje dhe më pak njerëz të nervozuar.

Revista Bluetooth