Genta e “BB5”: I dashuri s’më flet më pasi takova Rubensin

Genta Gjalpi, banorja simpatike e “BB5” do të vijë sot në një intervistë interesante për faqet e suplementit “Bluetooth”, ku do të rrëfejë takimin me Rubensin dhe dëmin që i ka shkaktuar ky takim në marrëdhënien e saj sentimentale…Kush e futi në kurth dhe çfarë po bën aktualisht Genta?! Ditëlindja dhe lekët e Big-ut, që mezi po pret t’i marrë.

Genta, ke festuar gjatë javës së shkuar ditëlindjen. Çfarë dhuratash more dhe çfarë dëshire shprehe kur fryve qirinjtë? 
Po. E festova ditëlindjen, e cila ishte një surprizë dhe dhuratë nga ana e mikut tim Dritanit. Kam marrë shumë dhurata të bukura, më shumë se çdo vit tjetër, sidomos nga një njeri që unë e kam shumë për zemër dhe që nuk mundi të ishte atë ditë atje. Dhurata ishte diçka shumë e bukur dhe shpresoj që radhën tjetër të marrë dhuratë unazën e premtuar nga ai...

Gjatë javës së shkuar kemi mësuar se je takuar me Rubensin. Për çfarë folët?
Po. Jam takuar rastësisht me Rubensin, duke qenë se ai shoqërohet me Ervinin...nuk fola fare, sepse kur mora vesh kurthin e tyre të shpifur jam larguar menjëherë.
E ke falur tani Rubensin? 
Pak rëndësi ka në e kam falur apo jo Rubensin. Ajo histori ka kaluar tashmë. Dëmi moral që më bëri mua dhe familjes time nuk shlyhet kurrë.
Siç the në këtë takim ka qenë edhe Ervini, po ai ç’donte? 
Ervinin unë e njoh para se të niste Big-u, por nuk e dija që ai njihej me Rubensin.
Para pak kohësh u publikua lajmi se ti je në një lidhje tjetër. Sa e vërtetë është lidhja me Emilianon? 
Sa për Emilianon, “vëllain” e Xhanit është diçka shumë e bukur, por profesioni që ai ka nuk e lejon që të bëhet publik për shtypin rozë. Ai e do shumë futbollin dhe kërkon imazhin e tij të pacenuar.
Para disa ditësh vure një status: Do bëhem murgeshë. Kaq shumë e zhgënjyer je nga meshkujt? 
(Qesh) Jo, atë status e vura,sepse isha shumë e mërzitur dhe e grindur me dikë. Meqë ra fjala i kërkoj falje me gjithë zemër, pasi ai është tejet i lënduar nga takimi im me Rubensin, rastësisht, pasi kurthi ishte dhe për atë njëkohësisht që ne të ndaheshim.
Kush është personi që është lënduar nga takimi me Rubensin? 
Është vëllai i Xhanit. Dikush i kishte thënë që Genta është me Rubensin dhe ai nuk do që t’i shpjegohem.
D.m.th je zënë me të? 
Po. Për momentin po dhe jam shumë e mërzitur se është djalë fantastik.
Dimë që aktualisht je në Greqi. Do jetosh përfundimisht andej? 
Jam në Greqi për pushime. Për plazh, si dhe për të ndenjur pak ditë me familjen. Uroj që shpejt të vij në Tiranë, sepse do të filloj shkollën për stomatologji.
Pushimet si po i kalon dhe a ke bërë plan të pushosh sërish? 
Aktualisht jam me pushime dhe intervistën po ta jap me ‘Wireless’ në bregdetin e Halkidikisë. Është shumë bukur këtu dhe duhet të vish me patjetër (qesh).
Ndërkohë, me ish-banorët vazhdon t’i ruash relatat? 
U takova me të gjithë banorët e Big-ut në ditëlindje, përveç Klaudias që nuk më erdhi pavarësisht se e ftova dhe Ermira, e cila duhet të ndërrojë njëherë këpucët e saj të ‘Gabit’ pa të vijë tek ditëlindja ime.
Paratë e “Big”-ut, i ke marrë, apo akoma? 
S’i kam marrë akoma ato lek. Na kanë thënë që në datën 15 përfundimisht. Dhe ne finalistët e uruar si “bosa” që jemi, presim, presim...Sa gjynaçkë që jemi. Të kishim lek nuk hynim fare atje
Raportin me famën si e ke, të pëlqen vëmendja? 
Fama më pëlqen. Kujt nuk i pëlqen?! Edhe ata banorë që gjoja nuk kishin hyrë për famë u çanë së dali nëpër gazeta.