A ka stil sot në ekran?


Të vishesh bukur kushton. Dhe që të vishesh me shije, duhet ta zotërosh atë. Kombinimi perfekt do të ishte të kishe mundësi financiare për t’u veshur bukur dhe sidomos orientimin e duhur profesional për të përshtatur staturën televizive me emisionin, apo programin që prezanton



Do thoni ju që unë me gjasë nuk jam e duhura për ta shtruar këtë pyetje meqensëse ekspozohem vetë të paktën dy herë në javë në ekran. Po mendova kur nuk druhen të komentojnë qoftë për mirë a për keq disa zonja apo zotërinj që pak lidhje kanë me stilin në ekran, përse mos ta bëj unë?

Personalisht si shikuese dhe protagoniste e ekranit mendoj që ka përpjekje të mira dhe ndonjëherë dështime të shëmtuara që arrijnë të hyjnë në shtëpitë e shqiptarëve. Ka disa arsye që në televizionet tona gjen edhe prezantuese të veshur keq. Së pari sepse filtrat e ekranit nuk punojnë mirë. Së dyti, shija është një përbërës ADN-je që nuk kanë fatin ta kenë të gjithë, ndaj disa ja dalin të duken bukur të tjerë jo.

Çfarë nënkuptoj me filtra ekrani? E kam fjalën për kurues imazhi të atashuar pranë televizioneve, të cilët janë përgjegjës për stilin, ngjyrat, modelet që i përshtaten natyrës së prezantuesit dhe mbi të gjitha të programit që drejtohet, orarit të transmetimit dhe target grupeve që e ndjekin.

Kuruesi i imazhit në televizionet shqiptare është ende një profesion pak i njohur, madje edhe profesionistë që e ushtrojnë këtë zanat numërohen me gishta. Deri më sot vajzat dhe djemtë e ekranit reflektonin shijen e tyre personale. Kohët e fundit kanë filluar disa përpjekje për ta vlerësuar rëndësinë e profesionistëve që dinë të këshillojnë çfarë duhet të veshë kush, dhe mbi të gjitha përse.

Kur them përpjekje e kam fjalën për një maksimumi dy raste, pasi pjesa më e madhe është ende nën pushtetin e shijeve individuale të drejtuesve televizivë, të cilët për hir të së vërtetës, nuk mund të kritikohen pa mëshirë për stilin e tyre.

Të vishesh bukur kushton. Dhe që të vishesh me shije, duhet ta zotërosh atë. Kombinimi perfekt do të ishte të kishe mundësi financiare për t’u veshur bukur dhe sidomos orientimin e duhur profesional për të përshtatur staturën televizive me emisionin, apo programin që prezanton.

Televizionet shqiptare nuk kanë aktualisht as të parën, e as të dytën. Në fund të fundit media shqiptare është pasqyrim i drejtpërdrejtë i shoqërisë sonë dhe nuk i shpëton dot reflektimit të shpërfaqjes në ekran të asaj që shikon në rrugë. Prezantueset amerikane, franceze apo italiane vishen përgjithësisht me veshjet e atelieve më të famshme botërore, të cilat i dhurojnë veshjet për emrat e njohur të ekranit në këmbim të publicitetet që u bëhet.

Por Oscar de la Renta, Giorgio Armani apo Valentino nuk ka arsye të stilojë veshje për prezantueset e ekranit shqiptar. Ndaj edhe kritika e kafeneve të bllokut duhet ta ketë parasysh këtë standard.  U takon stilistëve shqiptarë ta sjellin këtë kulturë në ekranet tona sigurisht me një kosto fillestare, por që do të përkthehej në reklamë të garantuar.

Përsëri problemet nuk kanë të sosur. Në botë emisionet e kanë të matur për çdo sekondë transmetim audiencën që kanë pasur dhe stilistët e dinë që veshja e tyre edhe pse mund t’u ketë kushtuar, është parë nga qindra apo miliona shikues. Në Shqipëri matja profesionale e audiencës mungon.  Nga ana tjetër, edhe stilistë të dëshiruar të bashkëpunojnë me kushte të tilla me televizionet nuk janë të shumtë, madje në dijeninë time nuk ka fare.

E dini si e kanë zgjidhur drejtueset e programeve shqiptare deri më sot!? Po e nis nga vetja: pjesa më e madhe e pagës sime përfundon në arkat e dyqaneve të veshjeve kryesisht jashtë shtetit, por edhe në Tiranë. Aq shumë shpenzoj nga dëshira për të qenë gjithmonë në nivelin e duhur në ekran, sa miqve të mi u them me humor se do kisha të paktën një apo dy vila në Tiranë me ato para që kam shpenzuar për pamjen time televizive.

Një zgjidhje të ngjashme kanë bërë të gjithë ata gazetarë televizivë, që ua lejon xhepi dhe që shpesh komentohen për stilin e veçantë dhe kujdesin që i kushtojnë look-ut. Të tjerët dalin në ekran me veshjet që u siguron televizioni. Në disa raste televizionet private porosisin kundrejt një pagese mujore disa kostume apo xhaketa në rrobaqepësi apo atelie, deri diku me emër në Tiranë dhe po ta keni vënë re prezantueset dalin pak a shumë me të njëjtin stil dhe ndryshimi mbetet te ngjyrat apo materialet.

Mendova t’i ndaja me ju lexuese të “Madame” këto njohuri për ekranin dhe realitetin që fshihet pas tij, për t’ju ndihmuar të jeni më pranë të së vërtetës, si kur lavdëroni ashtu edhe kur kritikoni. Të vishesh gjithmonë bukur në ekran është padyshim e mrekullueshme, por realisht e pamundur në një treg të parregulluar profesionalisht sipas standardeve, që ne do donim të kishim dhe ju do dëshironit të shikonit.

Nga Ilva Tare, Madame Mapo