Babai i Françeskës së BB: Ja pse e nominoi Ermali vajzën time
Françeska është një nga lojtaret më të spikatura të këtij edicioni të BB5. Vajza bionde, me sy jeshilë tanimë është e sigurt në finalen e saj pavarësisht gjithë lojës me Ermalin dhe lidhjes, e cila nuk e ka penalizuar, përkundrazi i ka shtuar pikë në publik. Njëkohësisht me lojën brenda, njeriu që e ka përkrahur më shumë Françeskën ka qenë babai i saj. Një person, i cili përherë ka ditur të thotë gjërat e duhura dhe të tregojë se çfarëdolloj gjëje që të ndodhë, ai është në krah të vajzës së tij. Të shtunën që kaloi Ermali nominoi Françeskën dhe java ka pasur debate të shumta mes të dyve. Po si mendon i ati i Françeskës për këtë gjë? A do të krijojë kjo probleme mes çiftit. Z. Dhimitraq është i bindur që jo, duke njohur Françeskën. “Është problemi që ajo po u mbush mendjen të gjithëve që di të debatojë me Ermalin. E kërkon loja dhe mendoj se çdo debat është normal. Nuk e ka idhull Ermalin që mos të debatojë me të”, – thotë ai.
Z.Dhimitraq, keni kohë që e mbështesni vajzën tuaj në “Big Brother”. Mendoni se ajo mund të fitojë?
Po është e vërtetë, kam kohë që jo vetëm e ndjek në çdo veprim brenda shtëpisë, por edhe e mbështes për atë që është dhe po tregon. Sa i përket pyetjes, për mua Françeska është potencialisht e para më afër titullit, si fituese e këtij edicioni të BB.
Shihni ndonjë ndryshim tek ajo gjatë këtyre muajve?
Konkretisht loja po bëhet më e fortë, ndaj detyrimisht që do të nisë të ketë edhe ndryshime. Françeska tani duhet të jetë më e fortë, duhet të bëhet më e ashpër, por edhe më e ëmbël në të gjitha drejtimet. Pra duhet të japë maksimumin e vetes në atë lojë.
Ermali e ka nominuar Francin javën e kaluar. Duke e njohur vajzën tuaj, mendoni se ajo nuk do ia falë këtë gjë, (pasi kemi parë se këtë javë kanë pasur edhe grindje të shumta)?
Absolutisht jo, nuk mendoj kështu. Ermali ka bërë mirë që e ka nominuar Françeskën, pasi u ka treguar banorëve brenda, që ata të dy dinë jo vetëm të bëjnë dashuri, por edhe të nominojnë njëri–tjetrin.
Përse nuk ka siguri së fundmi Françeska tek Ermali?
Nuk mendoj se mungon siguria. Është problemi që ajo po u mbush mendjen të gjithëve që di të debatojë me Ermalin. E kërkon loja dhe mendoj se çdo debat është normal. Nuk e ka idhull Ermalin që mos të debatojë me të.
Duket se babai i Ermalit është shprehur disi më skeptik për këtë lidhje…..
Unë e lexova intervistën që ai kishte dhënë dhe mendoj se titulli nuk i ka dalë nga zemra. Çdo prind ka të drejtë të njohë familjen kur fëmija i tij shoqërohet me dikë.
Zoti Dhimitraq, ju keni pasur një jetë jo të lehtë. Çfarë jeni përpjekur t’u mësoni dy vajzave tuaja?
Jeta ime ashtu ka qenë, e vështirë, por vështirësitë më të mëdha i kam kaluar. Ndërsa vajzave dhe familjes jam përpjekur t’ua plotësoj të gjitha. Mos t’u mungojë asgjë.
(Mapo)