Miqësia e Dritanit me Erion Zeqirajn, kush është djali nga Vlora
Javën që kaloi tre banorë të rinj janë futur në Big Brother. Përveç dy vajzave, djali që duket se po fiton simpatinë e publikut me lojën e tij është Dritan Zenuni. Një karakter i fortë, djali nga Vlora duket se di ta luajë lojën në kahun e tij, të paktën kështu duket në këtë javë të parë të Big Brother. Megjithatë, një fakt që na ka bërë përshtypje është se Dritani është një nga miqtë e ngushtë të Erion Zeqirajt, gazetari dhe aktualisht moderator në Albania Screen, i cili ka qenë një nga konkurrentët e edicionit të tretë të këtij shou.Dritani dhe Erioni janë njohur duke qenë se të dy luajnë volejboll në ekipin e Tiranës. Miqësia e tyre është e gjatë prej 7 vitesh. Djali nga Vlora veç Volejbollit ka punuar si banakier po edhe menaxher te Saint Tropez në Vlorë. Aktualisht ne kemi mësuar se ai është aksioner te “Baroque Saint Tropez Club” në Tiranë. Ne kemi mundur t’i marrim një prononcim të shkurtër Erionit, sesi e sheh brenda shtëpisë ku ka qenë vetë, shokun e tij të ngushtë. “Mendoj se shtëpisë i ka munguar një lab. Me futjen e Dritanit duket sikur edhe loja ka marrë më shumë gjallëri. Banorët janë zgjuar nga gjumi letargjik që i kishte zënë dhe po e shikojnë si një konkurrent të fortë”, -ka thënë Erioni, ndërsa ka shtuar se tani që gjithë banorët merren me Dritanin, kjo ndodh sepse ai ka diçka të veçantë nga ata. Sipas Erionit dhe miqve të tij, Dritanin e përshkruajnë si një njeri me mjaft humor, energjik dhe krijues. “Po e shijon dhe po e luan lojën e BB, duke i marrë gjërat me sportivitet dhe me humorin e tij”. Ta shohësh një konkurrent të ri që ka vetëm një javë në shtëpi si kërcënues për çmimin e madh, do të thotë që edhe banorët e kanë kuptuar potencialin që ka Dritani”, shprehet Erioni.
Jeta private e Dritanit
Djali simpatik, i cili po fiton shpejt vëmendjen e publikut dhe atë të vajzave, nuk ka lënë dikë që ta pres jashtë. Të paktën kështu thonë ata që e njohin Dritanin. Lidhur me këtë kemi mësuar se ai ka pasur një lidhje të rëndësishme që ka zgjatur mjaftueshëm në kohë, por që ka marrë fund para disa muajsh. Volejbollisti nga Vlora përveçse është simpatik është edhe single, fakt ky që besojmë se do të ndikojë edhe brenda shtëpisë, ku pritet ndonjë flirt me vajzat e shtëpisë. Ajo që vlen tjetër për t’u theksuar për banorin më të ri të shtëpisë së “Vëllait të Madh” është tipi sportiv. Sipas Erionit, Dritanit “i pëlqejnë sfidat dhe guxon për të arritur më të mirën. Është djalë që provon në jetë dhe nuk trembet nga dështimet. Gjithmonë e gjen një zgjidhje dhe nuk thotë kurrë që diçka nuk bëhet”, citon Erioni për mikun e tij, ku, sipas tij, Dritani i ka të gjitha potencialet për të ecur gjatë në këtë lojë. MAPO