Na ndajnë vetëm pak ditë nga premiera në kinematë shqiptare të filmit “Pharmakon”, pikërisht më 11 prill. Filmi do të shfaqet në kinematë e Tiranës dhe interesi i publikut duket se është shumë i lartë. Një nga protagonistët e këtij filmi është këngëtari i njohur Klevis Bega, ndryshe në emrin e artit, Kastro Zizo, në një bashkëpunim me aktoren e talentuar Olta Gixhari. Kastro në këtë intervistë tregon përfilmin, rolin e tij, por përtej një roli të thjeshtë mbi të gjitha aty trajtohet historia e shumë të rinjve “të humbur”, plot me dilema ekzistencialiste. “E ndiej shumë në mishin tim, pasi filmi përveç historisë së dashurisë midis dy të rinjve trajton dhe një problematikë reale në shoqërinë tonë. Ajo e shitblerjes së barnave në tregun shqiptar. Aq më tepër që nëna ime e vuan një pasojë të tillë, më bëri më shumë të reflektoj mbi realitetin e hidhur ku jetojmë”, – thotë Kastro gjatë intervistës. Ndërkohë në këtë film, i cili është një realizim mjaft i arrirë, kemi edhe skena erotike mes Gixharit e Zizos, për të cilat këngëtari thotë se kanë qenë pjesa më e vështirë e xhirimeve. Filmi trajton tema të forta, si përplasja e brezave, dilema shoqërore dhe ekzistenciale e të rinjve, si dhe biznesi i pistë i “bluzave të bardha”. Regjisori i ri Joni Shanaj e jep gjithë këtë tablo të fortë e të hidhur të një realiteti 20-vjeçar shqiptar nëpërmjet historisë së një të riu që punon në një farmaci pranë Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Ai aty dashurohet me një vajzë të bukur, e cila bën lojë të dyfishtë mes tij e të atit. Një rol që e luan mjeshtërisht aktorja simpatike, Olta Gixhari.
Në fakt nuk është eksperienca ime e parë në fushën e aktrimit, pas disa roleve në teatër dhe në filma me metrazh të shkurtër. Ky film ku jam protagonist, është një film me metrazh të gjatë, me regji të Joni Shanajt.
“Pharmakon” ju vë në qendër të një situate tipike të shoqërisë shqiptare. Si e ke përjetuar rolin?
Roli im në këtë film është i një personazhi problematik me veten e tij, të mbushur plot me dilema ekzistencialiste. Gjë që reflekton në mënyrë tipike atë të një të riu në botën shqiptare. Rolin e kam përjetuar shumë mirë, pavarësisht se shumë pak ka nga vetja ime.
A je ndjerë ndonjëherë në një rrugëtim të tillë në jetën tënde reale?
Besoj se jo vetëm në jetën time por edhe në atë të shumë të rinjve, këta të fundit janë përballur me një situatë të tillë. Mendoj që gjëja më e mirë për t’u bërë është ajo e një reflektimi të thellë dhe të gjatë në vetëdije për të arritur paqen dhe kontaktin me krijuesin.
Filmi, nga sa kemi parë nga traileri duket i realizuar shumë mirë. Si e ke ndjerë veten në shesh të xhirimeve?
Nuk kam pasur veçanërisht pjesë të vështira për të realizuar, përveç disa skenave erotike, por shumë mirë të justifikuara nga regjisori.
A të shpëton dashuria Kastro nga gjithë cinizmi dhe korrupsioni, pse jo edhe nga kalbja e shoqërisë?
Dashuria është një mjet iluziv shpëtimi dhe në thelb mbetet emocion i cekët i natyrës njerëzore. Mendoj se më shumë se të shpëton është një skud iluziv mbrojtës, që njerëzit ia bëjnë vetes në kërkim të paqes supreme.
Sa reale e ndjen komplet ngjarjen e këtij filmi?
E ndiej shumë në mishin tim, pasi filmi përveç historisë së dashurisë midis dy të rinjve trajton dhe një problematikë reale në shoqërinë tonë. Ajo e shitblerjes së barnave në tregun shqiptar. Aq më tepër që nëna ime e vuan një pasojë të tillë, më bëri më shumë të reflektoj mbi realitetin e hidhur ku jetojmë.
Mund të na thuash diçka më shumë për bashkëpunimin me regjisorin Joni Shanaj?
Joni Shanaj është një regjisor i ri, por me një kapacitet që shumë shpejt pritet të shpërthejë në botën kinematografike, në tregun shqiptar dhe më tej. Është krijuar për të dalë klisheve të kinemasë sonë.
Pas këtij filmi mendon të kesh një karrierë më aktive si aktor Kastro?
Artisti është gjithmonë në pritje të ofertave, flas për ato të mirat. Sigurisht që e shoh dhe madje më intrigon gati-gati më shumë se muzika.
Bashkëpunimi me Olta Gixharin si ishte?
Me Oltën ishte një bashkëpunim shumë i mirë dhe korrekt. Ajo është një aktore profesioniste dhe plot talent. Kur punon me profesionistë, sigurisht që ndihesh më i qetë dhe më efektiv në punë.
Keni pasur vështirësi në realizimin e skenave erotike?
Fillimi qe pak i vështirë, por pastaj kur kupton që janë domosdoshmëri të filmit, ato thjesht rrjedhin…
Mendon se filmi do të ketë më shumë sukses jo vetëm për historinë në thelb, por pikërisht edhe për “kureshtjen” e këtyre skenave në film?
Nuk di ç’të them! Mendoj se ajo faza e shqiptarëve të etur për seks ka kaluar dhe besoj se filmi do të vlerësohet për atë çfarë është në thelb.Po, sigurisht edhe për skenat e trajtuara me finesë.
Kastro, mund të na thuash dhe diçka tjetër? Si po e përjeton faktin që do bëhesh sërish baba?
Për pak kohë unë bëhem sërish me një fëmijë, me një mrekulli, me një princeshë të vogël. E përjetoj në mënyrën më sublime..bukur, pastër dhe plot dashuri!
Ju përshëndes dhe ju pres pas datës 12 prill në të gjitha kinematë.