Gjini i Portokallise provon veten si kengetar ne Top Fest

Besart Kallaku, aktori i humorit në kabare-show-n “Portokalli” do të marrë pjesë në festivalin e muzikës moderne,


 “Top Fest”, si këngëtar. Në këtë festival, që startoi në date 27 shkurt në Top-Channel, e që drejtohet nga motrat Marina dhe Luana Vjollca,


 Besarti- që njihet me emrin Gjini (një prej personazheve më të spikatur që interpreton), ndoshta do të këndojë me të fejuarën e tij, Xhensila Myrtezajn, por kjo nuk është bërë ende zyrtare. 


Edicionin e shkuar të “Top Fest”, me këngën “Engjëlli im”, të cilën ia kushtoi të fejuarit të saj, Xhensila fitoi çmimin “Best pop & R’N’B”. Gjini e ka testuar edhe më herët veten në muzikë, madje kënga e tij parodi “Katundari gangsta” u kthye shpejt në hit vitin e kaluar.


Edhe në “Portokalli”, sidomos pranë korit të policëve, atij i është dhënë shpesh rasti për të kënduar. E sigurt është që prania e tij aty do të elektrizojë fansat, sepse batutat është e qartë që nuk do të mungojnë nga ana e tij. 


S’i dihet, ndoshta kjo eksperiencë rezulton e frytshme dhe Besarti do të vendosë të ndërrojë zanat… Sa i takon “Top Fest 9”, deri më tani është mësuar se për herë të parë në këtë garë do të marrin pjesë këngëtare si Ronela Hajati, 


Argjentina Ramosaj, ndërsa konkurrentët do të jenë gjithsej 25. Deri në finalen e madhe do të duhet të presim rreth 2 muaj, kohë e nevojshme për t’u prezantuar të gjitha këngët, si dhe për t’u kryer procesi i përzgjedhjes së rreth 16 finalistëve. Vitin e kaluar, ky festival u fitua nga Elvana Gjata me këngën “Me ty”.






Gazeta standard