Françeska: Dua te krijoj nje lidhje

Françeska, banorja më e re e “Big Brother”, është shprehur se kërkon të krijojë një lidhje brenda shtëpisë, duke i thënë Liamit se dëshiron të njihet më shumë me të. Pas spektaklit të së shtunës, banorët kanë vazhduar bisedat me njëri–tjetrin deri në të gdhirë. Liami është diskutuar më së shumti për zgjedhjen e tij për të futur në shtëpi një banore femër të re në moshë. Dy banoret e reja të “Big Brother”, Françeska dhe Klaudia, janë njohur me të tjerët, madje kanë shfaqur edhe mendimet e tyre për ta. Françeska ka deklaruar se dëshiron të krijojë një lidhje brenda shtëpisë.


Meti refuzon të flasë me Gentën, ajo qan
Pasi mbaron spektakli dhe Arbana u uron “natën e mirë” banorëve, ata shpërndahen nëpër ambientet e shtëpisë dhe fillojnë të ndahen në grupe. Anila afrohet me Metin dhe i tregon atij për gjendjen e Gentës, pasi mori vendimin për ta nxjerrë jashtë. Nga ana tjetër, Edgari pyet Erionin lidhur me vendimin që morën për të futur brenda vajzën më të re dhe arsyen pse e bënë. Erioni shprehet se ka menduar që të futin brenda gruan më të madhe në moshë, dhe i tha arsyet se përse kishte atë mendim. Albulena, e cila ndodhet atje, thotë se i vjen keq që doli e parafundit si e votuar nga publiku dhe kjo gjë e ka bërë të ndihet keq, ndërsa Edgari i bën të ditur se ajo nuk ka filluar ende ta shfaqë veten dhe këtë e ka pranuar edhe vetë.
Arjola rri afër Metit, bashkë me banoren më të re, Françeskën. Ata i tregojnë Metit se sa keq është ndier Genta, pasi e ka marrë vendimin për ta nxjerrë, por Meti ka ende mllef dhe nuk kërkon të dëgjojë asgjë. Gentiana i afrohet dhe i kërkon që të paktën t’i japë mundësinë për ta dëgjuar, por Meti refuzon. Ajo i kërkon një mendim atij, sido që të jetë, por Meti nuk ka asgjë për t’i thënë. “Nëse nuk do të më flasësh më, të paktën ma thuaj”, i thotë Gentiana, ndërsa largohet duke qarë. Më vonë largohet edhe Meti. Gentiana shkon te krevati dhe vazhdon të qajë. Aty i afrohen Françeska dhe Arjola, të cilat mundohen t’i flasin dhe ta qetësojnë.
Anila: Liami më i votuari, do të ketë “luftë
Françeska hyn në dhomën e gjumit ku është Liami dhe Erioni. Erioni i flet me mospërfillje banores së re, ndërkohë që Liamit i bën përshtypje kjo sjellje. “Çfarë ke, s’po të pëlqen?”, i thotë ai. Erioni përfundon bisedën duke qeshur. Françeska shkon dhe bashkohet sërish më Arjolën dhe Gentën. Vajzat përfitojnë që ta pyesin banoren e re për të kuptuar më tepër. Genta e pyet se cilin nga banorët meshkuj ajo vlerëson më tepër dhe Françeska përmend Liamin, i cili e tërheq shumë edhe në karakter dhe në paraqitje. “Liami është shumë i aftë”, thotë Françeska. Gjithashtu edhe Edgari, sipas Françeskës, është një njeri shumë i përgatitur. Nga vajzat Françeska veçon Gentën dhe thotë se i pëlqen shumë edhe babait të saj. “Kisha shumë qejf ta njihja Gentianën”, shprehet Françeska. Ndërsa për Ermalin mendon se është shumë kryeneç e prepotent dhe kjo gjë mund ta pengojë për t’u njohur më tepër me të. Gentiana i tregon se dje ka bërë një debat goxha të gjatë me Ermalin. Disa nga banorët e tjerë vazhdojnë të bisedojnë në kopsht. Erioni përmend dy raste kur një njeri duhet të ruajë veten, duke thënë: “Kur është i nevrikosur dhe kur ka pozitë”. Anila merr shembull Liamin dhe thotë se, tani që ai mori vesh se është më i votuari, ka për të pasur “luftë” mes banorëve, dhe Liami do të sillet edhe më prepotent se më parë, sipas saj. Edgari ia përkrah menjëherë mendimin dhe duket se edhe banorët e tjerë aprovojnë.
Ermali: Liami është servil i fshehur
Disa nga banorët, Ermali, Graciano, Ariola, Anila dhe Elvisi dalin në kopsht dhe fillojnë të diskutojnë mbrëmjen e së shtunës. Anila ka mbetur e çuditur që Liami ka qenë më i pëlqyeri për publikun. Ata fillojnë të flasin dhe të japin mendimin e tyre lidhur me situatën. Ermali mendon se Liami është servil i fshehur dhe banorët nuk mund ta vënë re këtë gjë. Sipas Ermalit, edhe fakti që ai e ka përkrahur atë gjatë spektaklit, është bërë për servilizëm. Anila shkon në sallon dhe fillon të flasë me Liamin, duke i thënë me zë të lartë se ai është duke përdorur strategji dhe prandaj publiku po e voton për të ndenjur në shtëpi. Liami e kundërshton, duke i thënë se ai thjesht po luan dhe po bëhet pjesë e lojës, sepse kjo është arsyeja që ka hyrë në “Big Brother”. Liami del jashtë dhe fillon të flasë me Metin lidhur me Gentën. Meti nuk kërkon që të ketë më të njëjtat marrëdhënie me Gentën, sepse ndihet i tradhtuar prej saj. Arjola është e mërzitur nga Elvisi, i cili i ka kërkuar që të flasin për diçka, por dhe pasi ajo ka pritur për një kohë të gjatë, ai nuk ka shkuar. “Elvisi është si flutura që fluturon”, thotë Albulena për të.
Liami, Françeskës: Jam një hap para Ermalit
Françeska shkon në dhomën e gjumit dhe e ndihmon Ermalin për të rregulluar krevatin. Më pas shkon edhe Liami dhe fillon të diskutojë me Françeskën për Ermalin, i cili për momentin nuk është i pranishëm aty. Françeska mendon se Ermalit i pëlqen vetja, sepse i kanë thënë shpesh që është i bukur dhe kjo gjë e bën atë që të jetë mendjemadh dhe pret që t’i shkojnë vajzat nga mbrapa. “Bukurinë unë e kam lënë pas ka shumë kohë”, shprehet Liami, i cili mbyll bisedën me një shprehje tjetër: “Ai po vjen, ndërsa unë po iki. Kur të vijë ai këtu ku jam unë sot, unë do të kem ikur”, përfundon Liami. Disa nga banorët shkojnë në dhomën e gjumit, pas bisedash e debatesh të shumta, e ndërsa Liami hyn në dhomën e gjumit, shikon atje Elvisin dhe i kërkon që të flasin.
Liami i kërkon falje Elvisit në lidhje me diçka që i ka ndodhur më përpara, megjithëse e konsideron si shaka. Elvisi thotë se e pranon shakanë, por ajo që ka ndodhur nuk është shaka, për mendimin e tij. Elvisi shprehet se nuk do që të diskutojë lidhur me këtë çështje, ndërsa Klaudia, Françeska, Graciano dhe Meti diskutojnë në sallon. Françeska thotë se kërkon që të krijojë një lidhje brenda shtëpisë, por nuk do të pranonte kurrsesi që të kryente marrëdhënie. Klaudia i kërkon që deri javës tjetër t’i tregojë emrin e banorit që kërkon të lidhet dhe Françeska aprovon duke qeshur. Në sallon banorët fillojnë të bëjnë shaka e të qeshin me njëri-tjetrin.
Ermali, Anilës: Trego Anilën e vërtetë
Ora kalon dhe tashmë është drekë, por debatet dhe bisedat e shumta gjatë natës së mbrëmshme deri në të gdhirë, bëjnë që banorët të mos jenë zgjuar ende. Pasi merren me higjienën vetjake dhe pinë kafen e mëngjesit, ata dalin në kopsht dhe fillojnë të bisedojnë. Arjola thotë se ia ndien shumë mungesën Emirjetës, gjë të cilën e shpreh edhe Edgari. Anila shkon në kuzhinë për të ndihmuar Ermalin, por ai thotë se nuk do ta shikojë në sektorin e gatimit, sepse mund t’ia dalë vetë, ndërsa duhet ta tregojë veten te të tjerët duke debatuar dhe duke treguar Anilën e vërtetë. “S’duhet ta bësh për mua, por për veten”, i thotë Ermali. Banorët në kopsht, Flori, Graciano, Klaudia dhe Elvisi, flasin për shkollimin dhe vendet e punësimit në Shqipëri. Sipas Klaudias, njerëzit duhet të punojnë atje ku e ndiejnë veten më të aftë, por Graciano mendon se nuk mund t’i krijohet çdokujt mundësia për të punuar atje ku do. Më vonë banorët mblidhen të gjithë dhe shkojnë në kuzhinë për të ngrënë mëngjes, duke biseduar e duke bërë shaka me njëri-tjetrin.