“BBA5″ Edgari doli nga shtëpia, pasi e shoqja shtatzënë abortoi

Ka hyrë në shtëpinë e “Big Brother” duke treguar se po jetonte një bashkëjetesë të lumtur. Ai deri tani ka rënë në sy për aftësinë e tij të veçantë për t’iu përshtatur banorëve, të cilët vijnë nga një gjeneratë krejt ndryshe nga e tija. Fakti që është gjithmonë në formë dhe i gatshëm për të qenë pjesëmarrës në gjithçka ndodh brenda asaj shtëpie, e kanë shndërruar atë në një prej konkurrentëve më të fortë të këtij edicioni. Edgar Cani, banori më “i vjetër” në moshë që ka konkurruar në këtë ‘reality show’, dje, u detyrua që të braktiste shtëpinë për disa orë. Kjo ka ndodhur pasi ai ka marrë lajmin që e dashura ose më saktë bashkëjetuesja e tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.Nga bashkëjetesa e lumtur do vinte në jetë një fëmijë, sepse zonja ishte katërmuajshe shtatzënë dhe fatkeqësisht ka humbur fëmijën. Me të marrë vesh lajmin e ndërprerjes së shtatzënisë Edgari ka vendosur të lërë shtëpinë, ndërsa autorët e kanë lënë në dorën e tij vazhdimësinë e lojës.

Pas daljes së Edit nga shtëpia shikuesit dhe fansat e programit janë revoltuar dhe kanë lënë komentet e tyre në faqen zyrtare të “Big Brother” në ‘Facebook’, duke e quajtur si të padrejtë këtë lëvizje dhe si mungesë korrektese karshi shikuesve.

Ndërkohë, autorët e “Big Brother” kanë menduar për këtë pjesë jo pak të rëndësishme. Ne kemi zbuluar që çdo lëvizje e Edgarit jashtë shtëpisë është monitoruar nga tre kamera pa ndërprerje, deri në momentin që ai është rikthyer sërish në lojë.
Këto pamje do të transmetohen për publikun gjatë spektaklit të ditës së shtunë për të qenë transparentë me të gjithë shikuesit, duke informuar deri në detaje publikun për sa ka ndodhur. Ne jemi munduar të kontaktojmë me familjarët e Edgarit, por ka qenë e pamundur. Duke qenë se po kalonin një moment të vështirë, ata kanë preferuar të izolohen totalisht nga mediat duke refuzuar të japin prononcime.

Kujtojmë këtu, që edhe familjarët e Edgarit nuk janë të panjohur për publikun shqiptar. I biri i tij, Edgar Cani Junior, i cili ka ardhur në jetë nga bashkëshortja e parë e Edgarit, me të cilën ai u divorcua në vitin 2004 është një nga talentet e identifikuara së fundmi në Kombëtaren Shqiptare.

Në të njëjtën kohë, e bija e bashkëjetueses së tij, Melisa Zaganjori ishte një prej konkurrenteve të talent show-t “The Voice of Albania” dhe ka qenë pikërisht ajo, personi që ka njoftuar produksionin për këtë ndodhi. E kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Melisa është shprehur se kjo që ndodhi është diçka shumë private dhe për këtë arsye dëshiron të mos i kalojë kufijtë e familjes.

RRËFIMI I EDIT PËR BANORËT
Pas rikthimit në shtëpi, Edgari ka dalë në kopsht dhe ka filluar të bisedojë me Klaudjan lidhur me daljen e tij nga shtëpia. Ai tregoi se gruaja e tij ka abortuar, por pavarësisht kësaj, është përpjekur të shohë anën pozitive në gjithë këtë. Ai tha se e shoqja nuk ka rrezikuar aq shumë nga ky abort, sa të mos mund të ketë një fëmijë tjetër në të ardhmen dhe se ky fakt e gëzon.

Klaudja mundohet që ta qetësojë, duke i thënë se tani duhet që të marrë më shumë forcë për të ecur përpara. “Nëse Albana do të kishte dyshim, unë nuk do të hyja fare”,- tha Edgari, ndërkohë që sqaroi se gjatë gjithë kohës ka qenë i ndjekur nga kamerat dhe i mikrofonuar, por nuk ka pasur kohë që të pyesë për disa gjëra për të cilat ka qenë kurioz, si p.sh. për golat që mund të kishte bërë i biri.

Adelajda Xhamani Gazeta Shqiptare